Tahiri: Nuk do të bisedojmë për Asociacionin

Prishtinë | 28 Nën 2016 | 11:26 | Nga

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë mohuar mundësinë që të diskutojnë me palën serbe për Asociacionin.

Kjo temë nuk pritet të diskutohet pa u pajisur Kosova me Kodin telefonik nga ITU-ja. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në një bisedë për “Express”, ka treguar se krejt tema tjera do të flasin në Bruksel, gjatë të martës e të mërkurës, me palën serbe.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka thënë se tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk do të hapet me Serbinë pa e marrë Kosova Kodin nga ITU-ja.

Këtë deklaratë Tahiri e ka dhënë pasi disa media kanë dhënë lajmin se javën e ardhshme do të diskutohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë çështja e Asociacionit. “Jo, vetëm pasi Kosova e merr zyrtarisht Kodin telefonik nga ITU me 15 dhjetor, pastaj mund flasim për çështjen e zbatimit te marrëveshjes për asociacionin”, ka thënë ministrja Tahiri.

Sidoqoftë, udhëheqësja e dialogut ka thënë se në javën e ardhshme do të ketë diskutime me palën serbe për të parë sa janë zbatuar disa marrëveshje të arritura më herët.

Takimet në Bruksel pritet të zhvillohen të martën dhe të mërkurën. “Ketë javë do të kemi takime për zbatimin e marrëveshjes se drejtësisë dhe takimi përmbyllës për kodin ku palët do të raportojnë për obligimet zbatuese”, ka shtuar ajo.

Zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është vënë kusht nga pala serbe për kthimin e tyre në Parlament e Qeveri.

Kjo marrëveshje parasheh formimin e një Asociacionin ku do të jenë të përfshira komunat me shumicë serbe. Ky mekanizëm është kundërshtuar nga opozita në Kosovë derisa edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese pamundëson që ky mekanizëm të jetë nivel i tretë i pushtetit në Kosovë.

Megjithëkëtë, ministrja Tahiri thotë se mediet serbe po gënjeje kur po japin lajme se në takimet e kësaj jave do të këtë diskutime për temën e Asociacionit.

“Pala serbe mund të bëjë lajme të rrejshme se gjoja do të bisedojmë edhe për asociacionin siç ka bërë disa herë kohët e fundit, ju konfirmoj se asociacioni nuk është në rend dite të takimit të kësaj dhe as herët e kaluara nuk ka qenë. Për këtë vazhdimisht kam informuar opinionin duke i përgënjeshtruar lajmet e palës serbe”, ka treguar Edita Tahiri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme