Tahiri për çështjen e Trustiti: Nuk është betejë politike por domosdoshmëri dhe kërkesë e qytetarëve

Prishtinë | 21 Qer 2022 | 10:54 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se tërheqja e një pjese të parave nga Trusti, është një masë e domosdoshme për të lehtësuar ballafaqimin e qytetarëve me gjendjen ekonomike në të cilën është Kosova.

Tahiri, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka shtuar se kjo tërheqje bëhet në mungesë të alternativave nga qeveria, shkruan lajmi.net.

“Në mungesë të alternativave nga qeveria dhe përballë gjendjes së renduar sociale, tërheqja e një pjese të parave të TRUSTIT është një masë e domosdoshme për të lehtësuar ballafaqimin e qytetarëve me këtë gjendje”, ka thënë deputeti I PDK-së.

Tutje, ai ka shtuar se kërkesa për tërheqje të parave nga trusti ka ardhur drejtpërdrejt nga qytetarët, dhe se kjo çështje nuk është betejë politike por domosdoshmëri.

“Mundësia për të tërhequr një pjesë nga paratë e kursyera në këto rrethana, ka qenë kërkesë e drejtpërdrejtë e qytetarëve, prandaj i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe veçmas ata të mazhorancës, që nesër ta votojnë projektligjin që mundëson një gjë të tillë. Kjo nuk është betejë politike por domosdoshmëri konkrete dhe kërkesë e të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka përfunduar Tahiri.

Të ngjashme