Tahiri pret në takim një delegacion nga komuniteti boshnjak

Prishtinë | 04 Pri 2017 | 09:27 | Nga

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri priti në takim një delegacion nga komuniteti boshnjak të udhëhequr nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Çerim Bajrami, në përbërje të të cilit ishin Nexhat Uglani, asamblistë në Kuvendin Komunal në Mitrovicë, Marina Salkoviç, bashkëshortja e heroit Shefko Salkoviç, Edin Islamoviq, Rade Bektiq, juristë, që të gjithë nga komunat veriore e vendit.

Në takim ishte e pranishme edhe Adriana Hoxhiq, drejtore e administratës në komunën e Mitrovicës veriore, e ftuar në takim nga ministrja Tahiri.

Ministrja Tahiri, vlerësoi me rëndësi të veçantë takimin me përfaqësuesit e komunitetit boshnjak, duke thënë se kjo është një mundësi e mirë për t’u njohur me pozitën e tyre, problemet dhe shqetësimet që ka ky komunitet. Ajo theksoi se takimet e drejtpërdrejta krijojnë mundësi për të parë nga afër se cilat janë sfidat dhe kërkesat e tyre, ndërsa obligimi jonë si Qeveri e Kosovës është të japim zgjidhje për problemet që keni.

Ajo më tej theksoi se pavarësisht që dialogu i Brukselit ka trajtuar vetëm çështjen e integrimit të komunitetit serb në institucionet e Kosovës përmes shuarjes së strukturave paralele serbe në shumë fusha, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për një kujdes të shtuar institucional ndaj komunitetit boshnjak, por edhe gjithë komuniteteve tjera që jetojnë në atë pjesë të vendit.

Ajo vlerësoi angazhimet e deputetit Çerim Bajrami për të përfaqësuar dhe mbrojtur kërkesat e komunitetit boshnjak në Kuvendin e Kosovës dhe institucione tjera të vendit. Ministrja Tahiri, shprehu kënaqësinë për prezencën e Marina Salkoviç, duke theksuar se bashkëshorti i saj i ndjerë Shefko Salkoviç është hero i demokracisë së Kosovës.

Ajo po ashtu theksoi se e kam ftuar edhe Hoxhiq, jo vetëm pse ka përkatësi boshnjake, por sepse është një figurë e vlerësuar për faktin që ishte e para që pati vizionin dhe guximin që ta udhëheq zyrën e parë administrative të shtetit të Kosovës në Mitrovicën veriore dhe sot vazhdon angazhimet udhëheqëse po në këtë komunë.

Jam e bindur se diskutimet që do t’i bëjmë së bashku, do të jenë në funksion të zgjidhjes së problemeve dhe përmirësimit të mirëqenies së komunitetit boshnjak dhe komuniteteve tjera.

Në fjalën e tij, deputeti nga komuniteti boshnjak Çerim Bajrami, prezantoi situatën e komunitetit boshnjak që jeton në komunat veriore, duke theksuar se problemet kryesore lidhen me papunësinë, por edhe me një ndjenjë të anashkalimit, duke thënë se përqendrimi vetëm te integrimi i komunitetit serb është një qasje diskriminuese ndaj komuniteteve tjera nga ana e marrëveshjeve të dialogut të Brukselit.

Ai kërkoi që Qeveria e Kosovës t’i kushtoj kujdes komunitetit boshnjak dhe komuniteteve tjera në funksion të një shoqërie demokratike dhe shumetnike. Zgjidhja e çështjes së punësimit është primare për komunitetit boshnjak, por edhe perspektiva e barabartë për gjithë komunitetet duhet të respektohet dhe jo t’i jepet përparësi vetëm një komuniteti sepse është dekurajuese për të tjerët.

Adriana Hoxhiq tha se komuna e Mitrovicës veriore është një shembull i mirë i një komune shumetnike sepse se ka punësuar qytetarë nga të gjitha komunitetet, duke potencuar se kemi njerëz të etniteteve të ndryshme në nivel të drejtorëve, zyrtarëve të lartë dhe zyrtarëve të përgjithshëm. Ajo theksoi se edhe komunat tjera duhet të jenë të hapura dhe të ndjekin modelin e komunës së tyre. Është me rëndësi që ky shembull të shikohet edhe nga komunat tjera se si komuna e Mitrovicës veriore është e vetmja që respekton ligjin e gjuhëve zyrtare.

Në takim folën edhe pjesëmarrësit tjerë, ku e veja e heroit Salkoviç rrëfeu se edhe pas shumë vitesh të konkurrimeve të njëpasnjëshme ende është e papunë, ndërsa Edin Islamoviç, rrëfeu se ka qenë i plagosur rëndë nga sulmi që mori jetën e Shefko Salkoviçit, dhe është në kërkim të punësimit. Juristi Rade Bektiq po ashtu ngriti shqetësimet e çështjes së papunësisë dhe nevojës për zgjidhjen e problemeve.

Ministrja Tahiri në përmbyllje të takimit premtoi se kërkesat e tyre do t’ia përcjellë Qeverisë së Kosovës, duke premtuar angazhime shtesë për të trajtuar dhe zgjidhur problemet dhe shqetësimet e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme