Tahiri: Projektligji për KPK-në mundëson kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë efikase

Prishtinë | 16 Pri 2018 | 18:57 | Nga Donika Osmani

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri arsyetoi votimin e Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) duke thënë se mundëson që Këshilli Prokurorial i Kosovës të kryejë me efikasitet detyrat kushtetuese, raporton Ekonomia Online.

“Në kuadër të pakos së ligjeve, ky projektligj është hartuar dhe projektuar kur janë paraparë dispozita të reja që KPK-së ia mundësojnë kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë efikase. Ky angazhim i kryetarëve të komsioneve do të mundësojë hartimin dhe miratimin në kohë të akteve dhe kryerjen e përpiktë të detyrave të kryetarëve të komisioneve”.

Armend Zemaj, nga LDK-ja tha se Grupi Parlamentar LDK është për avancimin e sistemit të drejtësisë, duke shtuar se përveç përgjegjësisë disiplinore të prokurorëve më e rëndësishme është performanca e tyre.

“Ne jemi për avancimin e sistemit të drejtësisë, neve na intereson performanca e prokurorëve por edhe përgjegjësia disiplinore është e rëndësishme”.

Hajdar Beqa, nga PDK-ja, tha se ky projektligj është i ri dhe jo ndryshim apo plotësim. Ai i tha Albulena Haxhiut se po të ishe në Fakultet Juridik nuk do të kaloje as testin PISA. Këto deklarata Beqaj i bëri pasi që Albulena Haxhiu në replikën e mëhershme iu drejtua duke i thënë që duhet ta përfundosh fakultetin Juridik edhe një herë sepse “nuk po e interpreton si duhet rrjedhën e procedurave”.

“Nuk e di mësuesja Albulenë, nuk është e imja me ra në nivel të Albulenës, edhe në komision vepron me emocione, nuk ka naj qëndrueshmëri, po ashtu replikon me të gjithë. Albulena as testin PISA nuk e kalon”.

“E vlerësojmë se ky projektligj duhet të marrë mbështetjen e nevojshme. Projektligji për KPK-në nuk është rishikim apo plotësim, është projektligj i ri. Janë qartësuar kompetencat e këshillit”, ka shtuar Beqaj, raporton EO.

GPD dhe AAK e mbështetin projektligjin për KPK-në.

Të ngjashme