Tahiri: Qeveria Hoti deri më tani ka punuar mirë

Prishtinë | 15 Dhj 2020 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Zv.kryeministri Besnik Tahiri, ndërsa ka folur për qeverinë aktuale ka thënë se fati i saj është i lidhur ngushtë me pozitën e presidentit.

Tahiri ka thënë se deri në mars do të sqarohet se a do të zgjerohet koalicioni apo jo, por ka shtuar se qeveria Hoti deri tani ka bërë punë të mirë.

“Po tregon që kemi problem me numra kjo qeveri është votuar me 61 deputet dhe fakti që nuk kemi mundur të kalojmë sa duhet ligje dhe nuk kemi mundur t’i mobilizojmë shumicën tonë parlamentare që e kemi, tregon për një vështirësi e kjo ka ardhur për faktin se shumica e deputetëve ose kanë qenë me Covid ose për shkak të mungesës së shumicës, mirëpo tregon për brishtësi”, ka thënë Tahiri për Radio Kosova.

“Ky koalicion qeverisës është tash ngushtë i lidhur edhe me temën e presidentit që nënkupton, as kur e kemi themeluar e as tani nuk e kemi një shumicë prej dy të tretave, për të pasur një president duhet pasur një mandat më të gjerë. Shpejtë do të sqarohen këto çështje për shkak se presidenti duhet të zgjedhet në mars, pra deri në mars do të sqarohet se a do të zgjerohet koalicioni apo jo. Ajo që mund të them është se deri tani bashkë kemi punuar mirë”, ka deklaruar ai.

Sa i përket pozitës së presidentit, Tahiri thotë se pret një reflektim nga PDK-ja.

“Tani duhet një reflektim kryesisht nga PDK për shkak se VV ka kërkuar zgjedhje, nëse duam t’i parandalojmë zgjedhjet, në qoftë se jo zgjedhjet i kemi. A do të jetë zgjidhje, nuk mund të them asgjë, sondazhet pak a shumë dihen, mirëpo se qysh do të shkon nuk e di”, ka deklaruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme