Tahiri: Rezoluta pezulloi bisedimet me Serbinë

Prishtinë | 29 Mar 2017 | 09:04 | Nga

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka theksuar për “Zërin” se bisedimet me Serbinë në Bruksel janë pezulluar në respektim të rezolutës së Kuvendit të Kosovës, nëpërmjet së cilës kërkohet një pezullim i tillë pas ndalimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Serbia në INTERPOL.

Por, analistët politikë në Kosovë mendojnë se arsyeja e pezullimit të dialogut është krejt diku tjetër e jo te rezoluta e Kuvendit.

Sipas tyre, bisedimet janë pezulluar për shkak të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen këtë të diel në Serbi e që kandidati më favorit për t’i fituar zgjedhjet është kryeministri aktual Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, sipas tyre, pavarësisht pezullimit dialogu mes dy vendeve nuk do të ndërpritet.

Këtë gjë e konfirmon edhe këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Barjam Gecaj, i cili thotë për “Zërin” se bisedimet me Serbinë nuk kanë alternativë.

“Qeveria dhe kryeministri Mustafa në vazhdimësi e kanë cekur se dialogu nuk ka alternativë. Pra, në dialog nuk jemi as për qejf e as për inate të Serbisë, porse ky është interes yni shtetëror”, ka thënë Gecaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme