Tahiri: Seanca mund të mos mbahet sot, varet nga Lista Serbe

Prishtinë | 09 Sht 2017 | 09:27 | Nga

Sot në ora 16:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga kryesia e Kuvendit, ku pika e vetme e rendit të ditës do të jetë zgjedhja e qeverisë së re.

I mandatuar për ta udhëhequr qeverinë e ardhshme është kandidati nga koalicioni PAN-AKR, Ramush Haradinaj, i cili që ta marrë mandatin duhet të ketë 61 vota.

Por, thirrja e një seance të jashtëzakonshme nuk shihet e arsyeshme nga politologu Ramush Tahiri, i cili thotë se është pritur tre muaj dhe nuk është dashur të caktohet për sot, pasi zgjedhja e qeverisë nuk është e jashtëzakonshme.

“… Zgjedhja e Qeverisë asnjëherë nuk konsiderohet as një çështje urgjente e as e jashtëzakonshme. Mbledhja e jashtëzakonshme përveç që i paraprinë një kërkese me shkrim prej së paku 40 deputetesh, duhet të ketë edhe arsyetimin pse është e jashtëzakonshme dhe pse duhet të mbahet brenda 24 orësh.. Gjithashtu duhet ta ketë edhe lëndën apo objektin e shqyrtimit. Kjo kërkesë duket se nuk i ka asnjërën. Kur është pritur tash e tre muaj, dhe kur është mandatuar Ramush Haradinaj nga Presidenti i Republikës tek një ditë para nuk shoh asnjë nguti që kjo mbledhje të përgatitet dhe të thirret pesë ditë përpara si e parasheh Rregullorja e punës. Gjithashtu kur Kryesia vendosi për datën e orën e mbledhjes ende nuk dihej kabineti qeveritar pra ende nuk diheshin emrat e të gjithë ministrave, dhe për këtë në Kuvend nuk ishte dorëzuar një shkresë zyrtare nga mandatari”, ka deklaruar Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, fillimisht deputetët që do të zënë postin e ministrit, duhet ta lënë postin e deputetit dhe në vend të tyre të vijnë deputetë të rinj, të cilët duhet ta bëjnë betimin, e pastaj të bëhet votimi për kryeministër e ministra.

“Është edhe një çështje procedurale që duhet plotësuar. Disa deputetë që do të bëhen ministra e zëvendëskryeministra në momentin e kandidimit duhet ta lënë postin e deputetit, e në vend të tyre të zgjidhen deputetët pasues nga lista sipas renditjes sipas numrit të votave që është në KQZ. Kjo duhet bërë për Haradinajn, Pacollin, Limajn, Hoxhajn, Lekajn, Bajramin e ndonjë tjetër. Kjo bëhet me shkresë në KQZ edhe nga subjekti edhe deputeti. Statusin e deputetit mandej e fitojnë të tjerët pasues në listë të rezultateve zgjedhore. Këta deputetë të rinj duhet të japin betimin e mandej e fitojnë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin Qeverinë”, ka vazhduar më tej ai.

Tahiri përmend edhe rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacolli president, derisa thotë se nuk bën të përsëritet një gabim i tillë.

“Nuk mundet që deputeti Behgjet Pacolli të votojë e zgjedhë ministrin e jashtëm Behgjet Pacolli. Një gabim i tillë i kishte ndodhur kur pasi ishte zgjedhur President kishte qëndruar në sallë dhe e kishte votuar Qeverinë. Për këtë u penalizua nga Gjykata Kushtetuese, prandaj nuk duhet ta përsërisë një gabim sërish…dhe të arsyetohet si atëherë se si ka treguar askush se nuk duhet të rrijë në karrigën e deputetit”, ka deklaruar Tahiri.

Sa i përket Listës Serbe, ai thotë se do të jetë e pamundur ardhja e tyre në seancë në ora 16, pasi ata janë në Serbi dhe në ora 14 do të mbajnë konferencë për media për konsultimet që kanë bërë atje, andaj sipas tij, ata do të kërkojnë që seanca të shtyhet për më vonë ose për të dielën.

“Lista serbe të shtunën ka takim me Marko Gjuriq shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe pas këtij takimi konsultativ ose në të cilin i merr udhëzimet që si ta votojë Qeverinë Haradinaj në të cilën i kanë marrë tri ministri dhe një vend të zëvendëskryeministrit. Takimi i paralajmëruar pritet të përfundojë në ora 14 dhe pastaj do të ketë edhe një konferencë apo deklarim për medie. Nëse çdo gjë shkon mirë dhe nëse nga udhëheqja shtetërore e Serbisë marrin miratimin se çdo gjë është në rregull dhe se do të marrin pjesë në mbledhjen e Kuvendit dhe të votojnë Qeverinë pa kushte shtesë, atëherë me gjasë ata do të kërkojnë nga Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli që mbledhja për zgjedhjen e Qeverisë Haradinaj të shtyhet për në ora 19, ose për të dielën,, sepse vikend e ditë pushimi është si e shtuna ashtu edhe dita e diel, sepse ata fizikisht nuk mund të arrijnë, pos nëse nuk u lejohet që të vijnë me helikopterin e Qeverisë së Serbisë ose të shkoj ndonjë helikopter i KFOR – it për t’i marrë, pasi nuk besoj se autoritetet e Kosovës do t’i lejojnë të vijnë me helikopter të Armatës së Serbisë”, është shprehur politologu Tahiri.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme