Tahiri: S’ka asociacion pa shuarjen e strukturave paralele serbe

Prishtinë | 08 Shk 2017 | 14:43 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja për Dialog Edita Tahiri, ka thënë se nuk do të ketë formim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pa shuarjen e strukturave paralele serbe në Kosovë.

Këto komente ajo i bëri gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, raporton Ekonomia Online.

“Nuk do të ketë formim të Asociacionit pa shuarjen zero të strukturave paralele”, tha ajo.

Ajo ka folur edhe për anëtarësimin  e Kosovës në organizata  ndërkombëtare duke thënë se Kosova është anëtarësuar pothuajse në të gjitha organizatat.

“Kosova sot është anëtare e të gjitha organizatave të rëndësishme rajonale sepse janë hequr dy lloje të barrierave. Barriera e parë ka qenë nga këto pesë vende mos njohëse të cilat përkundër që nuk e kanë njohur Kosovën kanë vlerësuar qëndrimin e Kosovës në raport me rajonin, atë që Kosova është një faktor stabiliteti dhe i paqes dhe ka treguar edhe gatishmëri që të dialogojë me shtetin fqinjë Serbinë me të cilin kemi pasur një luftë ndërmjet dhe që Serbia ka bërë një luftë agresore dhe ka bërë gjenocid dhe përkundër kësaj udhëheqja e shtetit ka vendosur që të hyjë në këtë proces paqësor dhe i cili sipas neve synon që në fund të rrumbullaksohet me njohjen reciproke mes të dyja shteteve”.

Anëtari i Komisionit, njëherësh deputet i LDK-së, Ismet Beqiri, deklaroi se është e vërtetë që në dy muajt e fundit situata ka qenë tensionuese por se për këtë lidershipi i vendit ka treguar  përgjegjshmëri.

“Vërtetë këta dy muajt e fundit ne kemi pasur me të vërtetë situata që kanë qenë të rënda dhe është dashur të tregohet lidershipi, përgjegjshmëria, përgjithshmëria dhe sjellja në mënyrë të përgjigjshme si njerëz të zgjedhur tregon që gradualisht ne si shtet po piqemi, po punojmë në atë se si duhet të sillemi edhe në situata të rënda”.

Kurse, Zafir Berisha, deputet i Nismës, deklaroi se Kosova vazhdon të bisedojë me një shtet i cili ka bërë gjenocid në Kosovë dhe se sipas tij bisedimet janë në disfavor të perspektivës të Kosovës por edhe të funksionalitetit të saj.

“A ju ka pengu apo a është duke ju penguar që jeni duke biseduar me një shtet të cilët nuk na trajtojnë sei i trajtojmë ne ata. Është një përgjegjësi morale dhe sigurisht edhe institucionale dhe po shpresoj që në zhvillimet e fundit që tashmë janë krejt ndryshe nga zhvillimet e mëhershme sepse kemi ndryshim të politikave të fuqive të mëdha në rajon dhe a keni trajtu në ndonjë forum që tashmë është sekret publik që dikund 518 persona financohen në emër të OJQ-ve, financohen edhe nga Rusia”.

Ndërsa, Blerta Deliu Kodra, anëtarë e Komisionit nga radhët e PDK-së, tha se ajo që ka ndodhur me murin në veri është si rezultat i dialogut por po ashtu edhe vendosmëri e institucioneve të vendit, duke kërkuar të dijë nga ministrja Tahiri se çfarë është duke ndodhur me marrëveshjen e drejtësisë në veri.

“Pse kjo marrëveshje për drejtësi nuk ka filluar do të thotë me dhjetë janar ashtu siç ka qenë e paraparë, ku janë ngecjet në këtë proces dhe pse kjo marrëveshje nuk është e publikuar në ueb faqen e Qeverisë. Kemi pasur vërejtje nga qytetarët që nuk kanë arritur që ta gjejnë një marrëveshje të tillë në ueb faqe”.

Kurse Pal Lekaj, nga AAK pohoi se sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare është e vërtetë që Kosova është anëtarësuar në disa prej tyre por nuk janë këto organizata që ndikojnë tepër në forcimin e shtetit. Sipas tij janë disa organizata që nuk kanë peshë në forcimin e shtetit. Kurse sa i përket forcimit të shtetit për të cilin siç tha ai po thuhet nga qeveritarët kjo nuk është e vërtetë.

“Është me të ardh keq që shtetit i Kosovës apo shtetit të Kosovës po i ndalohen qytetarët që trajtohen nga Serbia dhe në këtë rast zotëri Haradinaj ndalohet në Francë me flet arreste të Serbisë që është ndërhyrje brenda shtetit të Kosovës dhe kjo është e patolerueshme dhe nuk e di se si mund të thoni që e kemi forcuar shtetin kur ne nuk jemi në gjendje ti mbrojmë qytetarët tonë”.

Ministrja Tahiri, theksoi se Kosova ka hapur rrugën rajonale për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë, duke shtuar se kontributi i Kosovës për paqe në rajon ka bërë që kjo e fundit të ketë partneritet me NATO-n.

Të ngjashme