Tahiri: Specialja po e dëmton imazhin e UÇK-së dhe të Kosovës, por nuk zhbëhet

Prishtinë | 18 Nën 2019 | 15:19 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Numri një i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, ditë më parë në një intervistë për EkonomiaOnline tha se nga Qeveria Kurti do të kërkojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ose futjen e një aneksi që do të ndiqte penalisht edhe serbët që kanë kryer krime në Kosovë.

Por një ide e tillë nga njohësit e rrethanave politike po shihet e pamundur.

Analisti politik, Ramush Tahiri, thotë për EkonomiOnline se çdo përpjekje për të ndërhyrë në kompetencat e Speciales është e vonshme dhe e pa suksesshme.

Ai thotë se kjo Gjykatë është bërë ekskluzivisht për UÇK-në dhe se kjo ka ardhur si rezultat i dështimit të sistemit të drejtësisë në vend, por edhe neglizhencës së politikanëve.

“Futja e një amendamentimi në këtë kohë pasi që Gjykata ka filluar punën që dy vjet nuk është asgjë edhe po të bëhej. Pasi që nuk ndryshon asgjë sepse hetimet janë mbledhur për UÇK-në dhe nëse është një Gjykatë e tillë Speciale, këtu duket se janë të pakënaqur bashkësia ndërkombëtare me gjykimet në Hagë dhe po kthehet një opinion negativ për Kosovën dhe shqiptarët. Serbia që ishte përgjegjëse për agresionin në Kosovë po fiton peshë, ndërtesa viktima po kthehet pak a shumë në agresor”, thotë ai.

Madje sipas Tahirit kjo Gjykatë do t’i bëjë shumë dëm Kosovës, ndërsa hedh poshtë pretendimet se Specialja do të pastrojë luftën.

Ai thotë se lufta nuk pastrohet nëpër gjykata, duke thënë se në Kosovë janë kryer krime dhe përgjegjësit, qofshin shqiptarë, serbë, apo kushdo qofshin ata duhet të dalin para drejtësisë.

“Kjo Gjykatë do të ketë ndikim negativ në opinionin në përgjithësi dhe në të ardhmen. UÇK-ja nuk do të pastrohet e as lufta. Sepse lufta nuk pastrohet me gjykata, sepse në gjykatë dënohen kriminelët dhe nuk jep legjitimitet që ka qenë lufta e pastër dhe akuzat janë të pavlera. Sepse akuzat janë konkrete sepse këtu kanë ndodhur krimet, kanë ndodhur vrasjet, kidnapimet dhe përgjegjësitë duhet të dalin para drejtësisë, qofshin ata shqiptarë, serbë e të gjithë të tjerët, jo në formë kampanje politike, por si element i drejtësisë sepse drejtësia duhet të vihet në vend dhe që kriminelët të mos jenë të lirë”, thotë ai.

Tahiri thotë se Kosova përveç që nuk do të mund ta zhbëjë këtë Gjykatë, do të paguajë shumë para për personat që janë subjekt i saj.

Ndërsa këshillon veteranët që të mos merren me Kurtin, pasi që thotë se ai prej fillimit ka qenë kundër themelimit të Speciales dhe se një dështim i tillë nuk mund t’i atribuohet qeverisë dhe legjislaturës së ardhshme.

“Nuk mund të bëhet amendamentim për mendimin tim, nuk mund të intervenohet në këtë pjesën e Gjykatës e cila është ndërkombëtare. Kosova do të paguan edhe para shtesë për qytetarët e saj që do të jenë ose dëshmitarë, të akuzuar ose më vonë edhe të dënuar. Këtë çmim deputetët që e kanë nënshkruar atëherë e kanë ditur dhe tashmë kjo nuk mund të shfrytëzohet kundër qeverisë së Albin Kurtit, sepse ai prej fillimit ka qenë kundër kësaj gjykate, mirëpo procedurat nuk mund të ndryshohen me vullnet politik, por me respektim të konventave ndërkombëtare. Janë këto obligime që i ka marr Kosova dhe nuk mund t’i bie tash pishman”, përfundon ai.

Gjykata Speciale tashmë ka dërguar më shuam se 250 ftesa për ish-pjesëtarët e UÇK-së, përfshirë edhe strukturën komanduese.

Ditë më parë një ftesë të tillë e pranoi edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.

Të ngjashme