Tahiri: Të votohet buxheti, të dëshmojmë se agjenda institucionale është prioriteti i të gjithëve

Prishtinë | 23 Dhj 2020 | 20:52 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri tha se buxheti për vitin 2021 duhet të votohet nga të gjitha partitë politike, në mënyrë që të dëshmojnë se agjenda institucionale dhe publike është prioriteti i të gjithëve, përcjell Ekonomia Online.

“Duke marrë parasysh faktin që nuk kemi arritur konsensus të plotë ndër-partiak për votimin e Ligjit për Rimëkëmbje, votimi i Buxhetit 2021 është rasti më i mirë që grupet parlamentare të flasin me një zë konsensual për interesin e përgjithshëm publik”, ka shkruar Tahiri në profilin e tij.

“Partitë politike duhet të dëshmojnë se agjenda institucionale dhe publike është prioriteti i të gjithëve, dhe jo vetëm i një shumice të thjeshtë”, shtoi ai.

Tutje, Tahiri thotë se rëndësia e votimit të Buxhetit 2021 qëndron mbi faktin se ky buxhet mbulon pagat, shërbimet, projektet e nisura, tema këto që sipas tij duhet të tejkalojnë dallimet partiake.

“Andaj është koha që të marrim një kurs të ri, sipas të cilit konfirmojmë që jemi shoqëri e pjekur, e cila para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, prodhon stabilitet, duke mos pritur momentet kur forcat politike komunikojnë përmes kushtëzimeve”, përfundoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme