Tahiri thotë se investimet kapitale në komuna nuk do të ndalen

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 20:44 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Tahiri, ka thënë se investimet kapitale në komuna nuk do të ndalen, duke shtuar se Pako Emergjente do të vazhdojë.

Ai në emisionin DESKU të KTV-së ka thënë se rishikimi buxhetor i cili do të bëhet këtë herë, është rishikim emergjent përmes së cilit do të kryhen pagesat prej 170 eurove.

Tahiri ka deklaruar se pandemia e ka goditur ekonominë e vendit, sidomos sektorin privat, duke vlerësuar se në një situatë të tillë duhet vepruar shpejtë.

“Ky rishikim buxhetor nuk është i zakonshëm, për shkak ky është rishikim emergjent për t’i bërë pagesat prej 170 eurove. Në momentin kur ne kalojmë rishikimin buxhetor, ne mund të shkojmë me infuzionin e parë me këto 170 euro që i kemi planifikuar. Jeta që po ndodh në terren është goxha normale. Unë jam për t’i hequr të gjitha masat. Pandemia e ka goditur në esencë ekonominë e vendit, e ka goditur sektorin privat. Ne duhet që të veprojmë shpejtë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se numri i rasteve me COVID-19 është rritur, pasi është rritur edhe numri i testimeve.

Duke folur për Qeverinë Hoti, ai ka thënë se ajo është zgjedhur me shumicë jo të madhe, porse përbëhet nga partnerë të cilët, sipas tij, kanë histori politike.

Sipas Tahirit, këtë qeveri e bën kredibile besimi që e kemi marrë nga subjektet.

“Kryeministri Hoti është gjatë në jetën politike, njihet si i disiplinuar, një koleg i mirë, kishte një veti të mirë që kur ke një argument mundesh me ja ndërru mendimin”, ka thënë ai.

Të ngjashme