Tahiri thotë se projektligji për gjykata do ta përmirësojë gjendjen në to, LVV kundër këtij projektligji

Prishtinë | 16 Pri 2018 | 17:38 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri gjatë shqyrtimit të projektligjit për gjykatat tha se ky projektligj do ta përmirësojë gjendjen në gjykata.

Ai tha se përmes këtij projektligji është arritur një standard bashkëkohor i transparencës, si dhe një strukturim në tërësi i procedurave për formimin e degëve të reja të gjykatave, raporton Ekonomia Online.

“Arritja e një standardi bashkëkohor të transparencës urdhëron që t’i publikojnë të gjitha aktgjykimet. Aspekt tjetër është edhe rritja dhe përmirësimi i qasjes në tërësi. Janë strukturuar dhe plotësuar në plotësi procedurat për formimin e degëve të reja apo gjykatave në përgjithësi. Ky projektligj do ta nxisë përmirësimin e personelit gjyqësor”.

“Dy pika të tjera që do t’i ngrisë kanë të bëjnë me pagat e gjyqtarëve, e cila është proklamu që do të ketë ndryshim të ligjit. Kjo duhet të shikohet dhe rregullohet me ligj… pika tjetër është me themelimin e degëve të reja..”, tha Armend Zemaj nga LDK.

Hajdar Beqa nga PDK-ja tha se do ta përkrahin projektligjin për gjykatat, duke shtuar se ky projektligj do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes në gjykata.

Albulena Haxhiu prezantoi disa pika që, sipas Haxhiut, janë të padrejta. Andaj ajo tha se do të propozojnë amandamente për përmirësimin e tyre, raporton EO.

Mirëpo paraprakisht, deputetja e LVV-së bëri të ditur se partia pjesë e së cilës është ajo, nuk do të votojë asnjë nga pikat e rendit të ditës, për shkak të bojkotimit që i është bërë kërkesës së LDKS-së për komisionin hetimor.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk do të votojë për pikat e tjera. Sot po diskriminohen qytetarët e Kosovës, sepse qytetarë të Pejës, Gjakovës, Gjilanit po detyrohen të vijnë në Prishtinë për një ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa qytetarët serbë e kanë te dera, kështu nuk integrohet. Në këtë projektligj është udhëhequr edhe 25 përqindshi. Gjyqtarët sipas këtij drafti mund të fitojnë sa të duan e që nuk është në rregull. Kjo gjë duhet t’iu kthehet grupeve punuese. Qëndrimi ynë është kundër këtij projektligji, mirëpo siç e përmenda, qëndrimi ynë është që mos të marrim pjesë në votim”.

“Ky projektligj ka dy probleme të theksuara, e para se nuk e kufizon pjesëmarrjen e gjykatësve në punë të tjera pas orarit. Problemi më i theksuar i këtij projektligji mbetet neni 21, përkatësisht pika 2”.

“Në vazhdimësi është folur edhe bërë përpjekje për integrimet e të gjithë qytetarëve e kjo veçanërisht duhet të vlejë kur vjen fjala për drejtësi, e para po bëhet një diskriminim, sepse disave po iu bëhet më e lehtë qasja në drejtësi e në vend se të integrojë, po vë dallime mes popullsisë në baza etnike”, tha Shqipe Pantina nga GDP-ja.

Ndërkaq, Grupi Parlamentar i AAK-së e mbështeti këtë projektligj.

Të ngjashme