Tahiri: Transparenca e llogaridhënia për taksat e qytetarëve nuk janë çështje disponimi por kusht e shtyllë për demokraci

Prishtinë | 05 Maj 2022 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka bllokuar nga muaji mars formimin e Komisionit Hetimor.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se përkushtimi i tyre për transparencë e llogaridhënie rreth kësaj çështje legjitime dhe të drejte kushtetuese, nga sot do të arrijë të jetësohet.

Postimi i plotë i tij:

Transparenca e llogaridhënia për taksat e qytetarëve nuk janë çështje disponimi por kusht e shtyllë për demokraci. Që nga muaji mars, pushteti ka bllokuar në vazhdimësi kërkesën tonë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e dyshimeve të bazuara e tashmë të njohura mirë për publikun, rreth menaxhimit të periudhës së krizës energjetike, me kërkesë për transparencë dhe llogaridhënie për 125 milionët e ndarë nga qeveria, si dhe për bazën mbi të cilën është rritur çmimi i energjisë elektrike.

Megjithatë, ne kemi qenë këmbëngulës në kërkesën tonë dhe ia kemi bërë të qartë pushtetit se këto dy shtylla vitale të demokracisë nuk mund të sabotohen, pavarësisht se mbi çfarë numrash qëndron ky pushtet.

Përkushtimi ynë për transparencë e llogaridhënie rreth kësaj çështje legjitime dhe të drejte kushtetuese, nga sot do të arrijë të jetësohet. I falënderoj deputetët e opozitës për mbështetjen e pakusht për të mundësuar themelimin e komisionit hetimor. Me jetësimin e këtij komisioni, qytetarët do të kenë mundësi për të parë nga afër se si janë shpenzuar taksat e tyre gjatë kësaj periudhe dhe mbi çfarë baze e për llogari të kujt është dyfishuar çmimi i energjisë elektrike.

Ju falënderoj të gjithëve për mesazhet dhe mbështetjen tuaj në këtë agjendë për transparencë e llogaridhënie.

Të ngjashme