Tahiri: Vjosa Osmani largohet nga VV-ja kur këta të bëjnë koalicion me PDK-në

Prishtinë | 23 Dhj 2020 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Kalkulimet e partive politike kanë hyrë në modë sërish pas paralajmërimit të zgjedhjeve të reja të parakohshme që pritet të mbahen në fillim të vitit 2021. E Ramush Tahiri, analisti i mirënjohur, është mjaft vigjilent dhe ka dhënë opinionin e tij mbi atë që do të ndodh.

Vjosa Osmani u largua nga LDK-ja duke u bërë me Vetëvendosjen pasi partia e saj bashkëpunoi në qeverisje me AAK-në dhe Nismën. Por, vetë Vetëvendosje duket se ka ndërruar qëndrim sa i përket PDK-së me Glauk Konjufcën që nuk e përjashtoi mundësinë e një koalicioni me partinë e dalë nga lufta.

Ramush Tahiri në një prononcim për Periskopin tha se Vjosa pritet të ndahet nga Vetëvendosja pas zgjedhjeve – sapo të arrihet marrëveshja e koalicionit për qeverisje mes VV-së dhe PDK-së.

“Vjosa Osmani do të garojë në një listë të përbashkët me Vetëvendosjen në zgjedhje – por, si subjekt i veçantë, mirëpo që pas zgjedhjeve ajo me deputetët e saj – tre a katër – do të ndahet pasi të arrihet marrëveshja e koalicionit për qeverisje mes Vetëvendosjes dhe PDK-së – duke mbajtur qëndrimin “s’ka koalicion me PDK-në”.

Ai po ashtu deklaroi se Vetëvendosje pritet të marrë 33 deputetë, PDK plot 32, dhe që së bashku me pakicat që kanë 20 vende të rezervuara mund t’i bëjnë 85 deputetë.

“Ky do të ishte koalicioni pas-zgjedhor në të cilin kryeministri do të ishte nga Vetëvendosje ndërsa presidenti nga PDK-ja.” – u shpreh Tahiri.

Më tej, ai ka parashikuar edhe se Nisma do të shkojë me PDK-në ndërsa AKR-ja e Pacollit me LDK-në.

Tahiri beson se edhe AAK-ja do të mëtojë një koalicion parazgjedhor me PDK-në, nëse heq dorë nga pozita e presidentit për Ramush Haradinajn.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme