Takimet e nivelit të lartë të Pacolli në New York

Prishtinë | 26 Sht 2018 | 11:14 | Nga

Ministri i punëve të jashtme Behgjet Pacolli, i kërkoi në takime të ndara, homologut të tij të Somalisë, Presidentit të Palaut, atij të Beninit, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunim në gjirin e organizatave ndërkombëtare, kërkesa që morën përgjigje pozitive

Pasditja e të martës për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e punëve të jashtme Behgjet Pacolli, vijoi me disa takime të tjera të nivelit të lartë.

Synimi i këtyre takimeve është intensifikimi i bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh me vendet njohëse të Kosovës, duke filluar nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, dhe duke përcaktuar një agjendë hapash të përbashkët në gjirin e organizatave ndërkombëtare.

Kështu ai takoi Presidentin e Palaut, Thomas Remengesau Jr dhe pati me të një bisedë të përzemërt dhe shumë miqësore. Kryetarit të këtij shteti të Paqësorit që e ka njohur Kosovën që në 2009, ju kërkua vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe bashkëpunimi në gjirin e organizatave ndërkombëtare, kërkesë që mori përgjigje pozitive.

Më pas, numri dy i qeverisë së Kosovës pati takim zyrtar dhe me ministrin e jashtëm të Republikës Federale të Somalisë Ahmed Isse Awad, me të cilin u diskutua për vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike, zhvillimin e një vizite në Prishtinë, si dhe bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh.

Një takim të përzemërt dhe shumë miqësor, zëvendëskryeministri i Kosovës, pati me Presidentin e Beninit Patrice Talon, takim ku mori pjesë dhe ministri i jashtëm i këtij vendi afrikan, Aurelien AGBENONCI.

“Unë i jam shumë mirënjohës paraardhësit tuaj, Presidentit Thomas Bony Yayi për vendimin e shpejtë për njohjen e Kosovës gjatë vizitës sime të mëhershme në 2011. Ne e kemi ndihmuar suksesshëm Beninin duke lobuar pranë administratës amerikane asokohe për përfshirjen në Programin “Sfidat e Mijëvjeçarit dhe duam të bashkëpunojmë dhe në të ardhmen, duke vendosur më së pari marrëdhëniet diplomatike”.

Zotëri Pacolli ftoi Presidentin e Beninit në një vizitë në Kosovë, ftesë që u pranua me kënaqësi. Kjo kërkesë e shefit të diplomacisë kosovare u mirëprit nga numri një i shtetit të Beninit, i cili ngarkoi ministrin e tij të jashtëm të vizitojë Kosovën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, dhe të përgatisë vizitën presidenciale në vendin tonë.

Mes dy burrështetasve u fol gjithashtu dhe për bashkëpunimin në gjirin e organizatave të tjera ndërkombëtare si ajo e Frankofonisë dhe Interpol.

Po ashtu ditën e djeshme, ministri i jashtëm, Behgjet Pacolli ishte pjesë e delegacionit kosovar së bashku me Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, në takim me Ndihmës Sekretarin amerikan të shtetit Wes A. Mitchell.

Të ngjashme