Takimi pa marrëveshje, Kryeministria tregon çfarë u tha Kurti veteranëve

Prishtinë | 17 Qer 2022 | 14:27 | Nga Ekonomia Online

Zyra e kryeministrit të Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media të premten pas takimit të kryeministrit, Albin Kurti, me veteranët, ku thuhet se në takim është diskutuar ndër të tjera për pastrimin e listave të tyre.

Në këtë takim që ka përfunduar pa marrëveshje, nga Zyra për Media e Qeverisë tregojnë se Kurti ka kërkuar bashkëpunim me OVL UÇK-në për përmirësimin e mirëqenies së veteranëve dhe ka përmendur edhe çështjen e pastrimit të listave.

“U ritheksua përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së. U bisedua edhe për çështjen e pastrimit të listave dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë aspekt, si dhe tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së ka bërë të ditur pas takimit se me Kurtin nuk është arritur pajtim për kërkesat e tyre.

Pas takimit që ka zgjatur më shumë se dy orë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar se Kurti diskutonte për pastrimin e listave të veteranëve, duke shtuar se me këtë çështje duhet të merren gjykatat dhe jo ata.

Për më tepër, Klinaku ka thënë se nuk do t’i ndalin protestat të cilat i kanë nisur javë më parë.

“Edhe ditën që do ta vazhdojnë seancën i treguam se do vazhdojmë me protesta”, ka thënë Klinaku.

Veteranët kanë protestuar sërish te enjten para Kuvendit të Kosovës për ta kundërshtuar Projektligjin për pagën minimale, i cili është miratuar të martën në lexim të parë dhe nga i cili janë përjashtuar ata.

Projektligji parasheh rritjen e pagës minimale nga 170 në 264 euro, derisa pensionet e veteranëve të cilat janë caktuar duke u bazuar në pagën minimale, nuk janë përfshirë në këtë rritje.

Të ngjashme