Takimi pozitë–opozitë për Demarkacionin, pa asnjë marrëveshje

Prishtinë | 13 Kor 2016 | 19:45 | Nga

Derisa zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka paralajmëruar takime intensive mes pozitës e opozitës sa i përket demarkacionit, takime të tilla ka nisur qysh sot paradite.

PDK, LDK, AAK e Nisma bashkë me disa nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it janë takuar, por pa rezultat.
Të paktën kështu kanë deklaruar zyrtarë të partive që kanë qenë pjesë e këtij takimi.

Ndërkohë nga Kuvendi i Kosovës AAK e Nisma i kanë bërë thirrje deputetëve që të mos e votojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi kurdo që ajo të jetë në Kuvend për ratifikim, raporton KTV.

Në një tryezë të përbashkët larg mediave në një nga hotelet në periferi të Prishtinës, janë ulur bashkë pozitë e opozitë, pa Vetëvendosjen me ndërmjetësimin e ambasadorëve të akredituar në Kosovë për të diskutuar për çështjen e demarkacionit.

Zyrtarë të lartë të PDK-së, LDK-së AAK-së e Nismës bashkë me ambasadorë të vendeve të QUINT-it janë bërë bashkë me iniciativën e Naim Rashitit nga drejtor ekzekutiv të Grupit të Ballkanit për hulumtimin e politikave.

Takimin për KTV-në e kanë konfirmuar zyrtarë pjesëmarrës në takim, por kanë thënë se nuk është arritur asnjë marrëveshje mes palëve.

Bilall Sherifi, i cili ishte pjesë e takimit i ka thënë KTV-së se aty është zhvilluar diskutim i gjerë e i gjatë, por AAK e Nisma nuk kanë ndryshuar qëndrim dhe nuk e pranojnë formën aktuale të marrëveshjes, dhe këtë u kanë përsëritur të pranishmëve në takim.

Nga takimi ka dalë një ide që të mbahet një tryezë e përbashkët, por jo me numër të kufizuar të deputetëve, por me të gjithë deputetët e ekspertët, por kjo të ndodhë vetëm pasi Qeveria t’ua dorëzojë të gjithë deputetëve nga një kopje të dokumentit mbi të cilin u arrit marrëveshja për demarkacion.

Sherifi ka thënë se do të ketë edhe takime të tjera, por nuk ka përmendur datë se kur mund të ndodhin sërish.

Derisa takimi po zhvillohej, dy partitë e boshtit opozitar AAK e Nisma nga Kuvendi u bën thirrje deputetëve që të mos e votojnë formën aktuale të marrëveshjes për demarkacion.

Ndryshe, lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka paralajmëruar se në ditën kur në Kuvend do të jetë marrëveshja për demarkacionin, aty do të rikthehen skenat e kundërshtimit me gaz lotsjellës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme