“Tani qytetarët po kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj”

Prishtinë | 22 Gus 2018 | 20:27 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në protestën e sotme që u thirr nga përfaqësues të shoqërisë civile me kërkesë kryesore shkarkimin e kryeprokurorit Aleksander Lumezi dhe fillimin e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë; u bë dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Imer Mushkolaj, njëri nga organizatorët e protestës, tha për Ekonomia Online pas përfundimit të marshit, se ” protestuesit sot e kërkuan dhe dorëheqjen e kryeministrit”. Ai tha se protestat do të vazhdojnë dhe pret masivizim të tyre.

Shkarkimin e kryeministrit e kërkoi edhe kryetarja e partisë “Alternativa” Mimoza Kusari-Lila

“Partia Alternativa është tërësisht në mbështetje të protestuesve dhe kërkesave të tyre. Me të vërtetë forma se si është trajtuar sundimi i ligjit dhe institucionet e rendit dje ligjit në Kosovë tregon që është një sistem tërësisht i kalbur dhe në të cilin as fjala e lirë nuk mund të gjejë mbështetje të mirëfilltë”, tha Kusari-Lila, e cila është deputete në Kuvendin e Kosovës.

“Vetë forma e reagimit edhe mënyra edhe fjalët e kryeparlamentarit, kryeministrit e pastaj edhe kryeprokurorit, tregon se Kosova dhe liria e fjalës janë në rrezik të madh”, shtoi ajo.

“Duhet të bëhet sa më shpejt rrëzimi i Qeverisë Haradinaj. Ai përveç se tregon që nuk e ka asnjë ndjenjë për përgjegjësinë publike, nuk e ka asnjë ndjenjë për paranë publike. Ai ka filluar me formën e diktatorit brutal, të shprehet në çfarëdo deklaratë të fjalës së lirë”.

Publicisti Imer Mushkolaj tha se krahas kërkesave për shkarkimin e kryeprokurorit dhe nisjen e procesit të “vettingut” në drejtësi, protestuesit kërkuan dorëheqjen e Qeverisë Haradinaj.

“Ne sot e kemi organizuar protestën e parë. Dhe kërkesa kryesore ka qenë shkarkimi i kryeprokurorit Aleksander Lumezi dhe nisja urgjente e procesit të ‘vettingut’ në gjyqësor për shkak se konsiderojmë se vetëm një proces i tillë mund ta pastrojë gjyqësorin nga eksponent të cilët në vend se t’i udhëheqë ligji i udhëheq politika”.

“Ndërkohë që është e pashmangshme që në të gjitha ndodhitë e fundit ndërlidhet edhe kryeministri dhe keqqeverisja e kryeministrit dhe absolutisht që është logjike, dhe sot protestuesit e kërkuan, dorëheqjen e kryeministrit. Protestat do të vazhdojnë dhe do të ketë numër të madh”, deklaroi Mushkolaj.

Qytetarë që folën për Ekonomia Online, po ashtu, thanë se protestat duhet të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave.

Rrahim Imeri tha se mbështet kërkesat e protestës. “Unë i mbështesë me zemër këto protesta dhe duhet të vazhdojnë e jo të ndalen. Kanë kaluar dekada deri na është krijuar shansi për të bërë pavarësinë. Këtë shans nuk duhet ta shfrytëzojnë ata të cilët mendojnë vetëm për vete dhe jo për Kosovë”, tha ai.

E Kujtim Lushaj tha se Kosova me këtë qeveri dhe sistem të drejtësisë ka pësuar vdekje klinike.

“Kam anuluar sot udhëtimin tim ku kam pasë të shkoj dhe kam dalë në proteste, sepse është koha e fundit në Kosovë që të qohen rinia e studentët, profesorët, mjeket dhe tërë populli që ta mbrojmë këtë vend. Kosova ka pësuar vdekje klinike dhe duhet qohet rinia e populli ta mbrojë këtë vend”, u shpreh ky protestues, i cili tha se nuk është “militant” i asnjë partie politike.

Të ngjashme