Tarifat e energjisë, PDK paralajmëron kallëzim penal për anëtarët e Bordit të ZRRe-së

Prishtinë | 14 Pri 2022 | 15:34 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka paralajmëruar se do të bëjnë kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në rast se të njëjtit nuk mblidhen për të vendosur që tarifat e energjisë elektrike të ulen.

Tahiri ka thënë se që nga fillimi e kanë kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të tarifave të energjisë.

“GP i PDK-së që nga fillimi i debatit për shtrenjtimin e energjisë elektrike e kemi kundërshtuar dhe i kemi përdorur të gjitha mjetet e mundshme ligjore qe i kemi pasur në dispozicion në mënyrë që të vijmë deri tek pezullimi e në fund analizimi i këtij vendimi. Sot kur kemi një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës që pezullon vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e tarifave mbi 100% dhe në anën tjetër kemi një deklarim të ZRRE-së që thotë se ky venim nuk ka hyrë në fuqi dhe nuk do ta zbatojmë ne e kundërshtojmë këtë vendim”, tha ai.

Më tutje, Tahiri tha se i bëjnë thirrje Bordit të ZRRE-së që të mblidhen dhe të vendosin për tarifat e energjisë karshi vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Ne bëjmë thirrje që Bordi i ZRRE-së të mblidhet sa më shpejtë dhe të jap instruksione që KEDS për këtë muaj t’i tarifojë qytetarët me çmimin e ulët të tarifave e jo me këtë të lartin që janë paguar për këta dy muaj. Në rast se Bordi deri ditën e hënë nuk do të mblidhet për të dhënë instruksione KEDS-it për këtë muaj t’i tarifojë qytetarët me çmimin e ulët të tarifave ne si PDK do të bëjmë kallëzim penal për secilin anëtarë të Bordit”, ka thënë ai.

Të ngjashme