Të akuzuarit për fajde deklarohen të pafajshëm

Prishtinë | 06 Nën 2017 | 14:01 | Nga

Të akuzuarit për fajde, Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Avdullahu, janë deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin gjyqësor, të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Katër të akuzuarit, sikur në shqyrtimin fillestar, sërish kanë mohuar të kenë kryer veprën penale për të cilën ngarkohen nga prokuroria.

Ndryshe, në këtë shqyrtim gjyqësor, në mungesë të tre dëshmitarëve, Kushtrim Musliu, Behxhet Musliu dhe Fahri Abazi, palët kanë dhënë vetëm fjalët hyrëse.

Prokurorja Bukurije Gjonbalaj, në fjalën hyrëse, tha se aktakuza ishte e mbështetur në prova të mjaftueshme dhe se dëshmia e tre dëshmitarëve të propozuar, sipas saj, do të dëshmojë tezën e kësaj aktakuze.

Mbrojtësja e të akuzuarit Enver Avdullahu, avokatja Mevlude Qerimi tha se në rastin e të mbrojturit të saj, bëhet fjalë vetëm për shuma të dhëna borxh. Sipas Qerimit, kjo do të dëshmohet në bazë të bisedave telefonike, të cilat sipas saj, e vërtetojnë se Avdullahu vetëm kishte kërkuar kthimin e parave, e jo rritjen e borxhit.

Avokati Hasan Jashari, mbrojtës i të akuzuarit Rrahim Sallahu, tha se i mbrojturi i tij gjatë vitit 2012 i kishte dhënë të dëmtuarit Kushtrim Musliut, siç e quan ai “mik i shtëpisë”, mjete në huazim, por të cilat Musliu asnjëherë nuk ia kishte kthyer. I njëjti tha se i akuzuari Sallahu, nuk kishte kërkuar interes në këto mjete, por të cilat ia kishte dhënë të dëmtuarit vetëm për t’i ndihmuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fatlum Abazi, avokati Mentor Neziri, tha se pretendimet se i mbrojturi i tij, nuk e kishte kryer veprën penale sipas aktakuzës, do t’i arsyetojë pas administrimit të provave dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Bujar Avdullahu, avokatja Kaqusha Avdiu, fjalën e saj hyrëse, tha se aktakuza nuk i plotësonte kushtet ligjore sipas Kodit të Procedurës Penale dhe se asnjë provë nuk e vërtetonte se i mbrojturi i saj kishte kërkuar fajde nga i dëmtuari.

Ajo ka shtuar se në fund të këtij procesi gjyqësor, i mbrojturi i saj do të shpallet i pafajshëm.
Ndërkohë, në mungesë të dëshmitarëve Kushtrim Musliu, Behxhet Musliu dhe Fahri Abazi, kryetari i trupit gjykues Naser Foniqi, ndërpreu seancën, për të vazhduar më 5 shkurt 2018, në ora 9:00.

Ndryshe, në seancën e kaluar, të akuzuarit Rrahim Sallahut, i ishte ndërprerë masa e paraburgimit, pasi mbrojtësi i tij, avokati Hasan Jashari kishte ofruar 10.000 euro të dorëzanisë për të siguruar praninë e të pandehurit gjatë procedurës gjyqësore.

Enver Avdullahu, Rrahim Sallahu, Fatlum Abazi dhe Bujar Avdullahu, akuzohen se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjeteve motorike, në të cilat shuma kishin llogaritur dhe marrë fajde. Këto fajde, sipas aktakuzës, në borxhin që i dëmtuari e ka marrë, i janë llogaritur në shuma javore, mujore, të cilat sipas aktakuzës, disa herë kishin kaluar shumën e parave të marra borxh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme