Të dorëhequrit e VV-së shpejt me parti të tyre, do t’u bashkohet edhe Ahmeti

Prishtinë | 05 Shk 2018 | 14:59 | Nga

Vetëvendosje në zgjedhjet e këtij viti krenohej me rezultatin që ua solli grupin më të madh parlamentar dhe me dy komuna të reja të fituara, duke mbajtur ndërkohë edhe për një mandat kryeqytetin. Por, ky triumf u thye, pas akuzave e fyerjeve që do të bëjnë që VV’ja të humbë edhe këta dy kryetarë, 10 deputetë, ndër ta edhe themelues, ish-kryetarë e figura që morën mijëra vota në zgjedhje.

 Nga fillimi i dhjetorit kur edhe u bë publik mesazhi ofendues që deputetja Aida Dërguti ia dedikonte Albin Kurtit, në kohën kur ai po arrestohej nga policia, kanë plasur tensione brenda partisë, që kanë rezultuar me dorëheqje e fyerje të shumta.

Por, i pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ishte ai që qëndronte i papërcaktuar në këtë situatë, duke mos bërë publik qëndrimin e tij. Si duket, mospërcaktimi i Ahmetit është edhe arsyeja pse partia e përfolur nga Dardan Molliqaj e Visar Ymeri ka vonuar.

Gazeta Express mëson nga burimet e veta se tashmë të gjithë anëtarët dhe ish-anëtarët e partisë janë të informuar se nga VV do të krijohet një parti e re dhe do të ndahet grupi parlamentar.

Mirëpo, në Kuvendin e Kosovës për Express kanë deklaruar se një kërkesë të tillë ende nuk e kanë marrë.

Por, mesazhi që ka dërguar kryetari i kryeqytetit me fshirjen e të gjitha fotove nga rrjetet sociale që kishte me ‘babën’ e partisë, tregon që ai veç se është rreshtuar së bashku me Molliqaj e Ymerin.

Njëjtë si ai, edhe kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati radhitet në anën e të dorëhequrve.

Me këtë Vetëvendosje humb dy komuna, pa përmendur Prizrenin, kryetari i të cilës Mytaher Haskuka radhitet në anën e Kurtit.

Express kishte raportuar se arsyeja pse Ahmeti kishte marrë qëndrim neutral ishte për të mbajtur një balancë brenda asamblesë komunale, edhe pse kishte numër më të madh të përkrahësve se sa i pari i partisë.

Express ka tentuar të kontaktojë edhe dy grupet, por ata tash e një kohë po i ikin mediave.

Analisti politik, Imer Mushkolaj tha për Gazetën Express se në Vetëvendosje tani e dinë që Ahmeti do të largohet.

“Në opinionin publik është krijuar përshtypja që Ahmeti i përket këtij grupi dhe do të largohet për t’i bashkuar këtij grupi, edhe VV’ja tashmë e di që ai do të largohet nga ky grup. Subjekti i ri nuk do ta ketë rëndësinë e njëjtë, nëse Ahmeti nuk del aty, ai do të mund ta kompletonte dhe do t’i jepte fuqi kësaj partie. Në anën tjetër, ajo dëmton Vetëvendosjen”, deklaron ai.

Sipas, Mushkolajt nëse veç Ahmeti del nga VV’ja, kjo nuk do ta dëmtojë atë brenda komunës, sepse, tani më ai ka koalicion me disa parti, duke përfshirë edhe parti të vogla dhe gëzon numër më të madh të asambleistëve se krahu i Kurtit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme