Të enjten seanca e radhës, PDK kërkon largimin e mjekëve nga Projektligji për deklarimin e pasurisë

Prishtinë | 01 Kor 2022 | 14:22 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon kthimin në rishqyrtim të Projektligjit për deklarimin e pasurisë. Sipas kësaj partie, mjekët dhe profesorët duhet të largohen si kategori që përfshihen në këtë projektligj.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për media ka thënë se përfshirja e mjekëve dhe e profesorëve e rëndon tepër Agjencinë Kundër Korrupsion.

Ai ka thënë se kjo agjenci nuk mundet të funksionojë nëse shtohen edhe mijëra zyrtarë të tjerë për verifikim.

“I kërkoj shumicës, mazhorancës, që ta rikthejë në rishqyrtim çështjen e Projektligjit për deklarimin e pasurisë në involvimin e mjekëve dhe profesorëve të universiteteve. Deklarimi i pasurisë i tyre përbën një degradim të punës së agjencisë. Aktualisht janë diku rreth 4000 zyrtarë që deklarojnë pasurinë dhe nëse i shtojmë këto dy kategori, numri i zyrtarëve që do ta deklarojnë pasurinë do të shkojë në rreth 18 mijë. Me këto potenciale që ka Agjencia Kundër Korrupsionit e ka të pamundur me bë punën e vet”, tha ai.

Tahiri tha se mjekët dhe profesorët nuk janë të ekspozuar ndaj aferave korruptive pasi nuk menaxhojnë me paranë publike, dhe sipas tij, fokusi duhet të jetë tek institucionet kryesore.

“Ne shumë më shumë do kemi fokus me agjencitë, si ATK-ja, Qeveria, Kuvendi, Dogana, Policia e Kosovës dhe të tjera, pra të fokusohemi në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve që janë në këto institucione sesa të drejtohemi te mjekët dhe profesorët që thjesht marrin një pagë nga buxheti i Kosovës dhe nuk menaxhojnë me taksat e qytetarëve”.

Theksoi se ngarkesa që i vihet Agjencisë Kundër Korrupsion me shtimin e zyrtarëve e vë në paralizë.

“Mundësia që ata të ekspozohen ndaj këtyre aferave është jashtëzakonisht e vogël, përbën ngarkesë tepër të madhe për Agjencinë Kundër Korrupsion, e paralizon atë agjenci dhe nuk mund ta bëjë punën e vet”.

Të ngjashme