Të gjitha rastet kur Kurti u bë bashkë me “shkatërruesit”

Prishtinë | 04 Tet 2022 | 17:37 | Nga Ekonomia Online

Me një video të llojit “ne dhe ata”, Vetëvendosje renditi të gjithë kundërshtarët që, sipas saj, shkatërruan vendin për 20 vjet dhe tash nuk ia duan të mirën Kosovës së drejtuar nga LV-ja.

Ndër vite, disa nga “shkatërruesit” kishin hyrë në filtrin e LV-së dhe ishin shpëlarë, për t’u bërë partnerë të saj. Pastaj, sërish ishin shpallur të përlyer. Videos së stërkomentuar i kanë shpëtuar vetëm ish-pushtetarët, që tash janë me LV-në.

Për një kohë, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet po vuante nga postimet dhe deklaratat e vjetra, të cilat, në raste, ishin simetrikisht të kundërta me qëndrimet e tanishme.

Partisë, që pikën e saj të fortë e kishte, ndër të tjera, botën virtuale, i është dashur ta fshijë arkivin e faqes zyrtare, postimet e vjetra të së cilit nuk po i linin rehat në qeverisje. Nuk dihet nëse postimi i djeshëm në faqen e saj, ku etiketon kundërshtarët politikë të saj si “shkatërrues”, do ta ketë fatin e njëjtë.  

Videoja e LV-së nis me fytyrën e ish-Presidentit Hashim Thaçi, ndërsa pamjen e shoqërojnë titrat poshtë dhe një zë burri që nis e flet për “shkatërruesit e vendit”. Bashkë me Thaçin, në pamje është edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli – të dy duke u mbajtur prej dy vitesh në paraburgim në Hagë, nën akuzat për krime lufte.

Në pamje janë edhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ish-Kryeministrat Ramush Haradinaj e Isa Mustafa, deri te kryetarët e tanishëm të PDK-së dhe LDK-së, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku. 

Videoja e publikuar nga LV-ja u bë në kohën kur ajo qeveris e vetme si parti shqiptare, me minoritete. Aty thuhet se krejt kanë qeverisur “herë vetëm, herë njëri me tjetrin, herë tjetri me tjetrin”. Vetëm Vetëvendosje, thuhet në video, nuk ishte në anën e tyre.

Por në të kaluarën jo të largët, në raste dhe versione të ndryshme, LV-ja kishte bashkëpunuar me të gjithë kundërshtarët e tanishëm politikë, përveç PDK-së. Nga PDK-ja i ka rënë të bashkëpunojë me individë ose pjesë të saj nëpër komuna, por jo në nivel qendror.

Me Haradinajn, Kurti ishte bërë bashkëluftëtar në Kuvend. Po e kundërshtonin demarkimin e kufirit me Malin e Zi, me secilën formë. Akoma deputetë të këtyre subjekteve u bie të dalin në gjyq në bankën e njëjtë të të akuzuarve për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend, gjatë 2015-s.

Ata po e kundërshtonin qeverisjen e drejtuar nga Isa Mustafa, që ishte në koalicion më PDK-në. Para kësaj qeverie, LV-ja ishte bërë pjesë e një blloku të formuar me LDK-në, AAK-në dhe Nismën e Fatmir Limajt, pas zgjedhjeve të vitit 2014, të cilat i fitoi PDK-ja. Synonin ta bënin bashkë qeverinë e re, por LDK-ja u tërhoq.

Haradinaj thoshte se Isa Mustafa nuk po ia del të merr vendime të mëdha,  kurse tash vetë po i falë tokë Malit të Zi” - Gazeta Online INSAJDERI
Nga një deklarim i VLAN-it

“Isa, Hasha, Esat Pasha” është një prej kryeparullave të Vetëvendosjes ndër vite në protestat e saj.  Edhe ish-kryeministri dhe ish-kreu i LDK-së, që portretohej si tradhtar i vendit, hyri në filtrin e Vetëvendosjes. Nga aty doli i pastër, si “Prof.”.  

Vetëvendosje, kur fitoi zgjedhjet e para, më 6 tetor 2019, i duhej një partner për ta formuar Qeverinë. E kishte piketuar prej para zgjedhjeve partneritetin me LDK-në, që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa.

Që në verën e 2019-s, pra para zgjedhjeve që u mbajtën në vjeshtë,  Kurti nisi takimet pas të cilave tregonte se po pajtoheshin për shumëçka me kryetarin e LDK-së.

Negociatat mes LDK-së dhe LV-së, pas zgjedhjeve, zgjatën për disa javë. Kurti, kandidat për kryeministër, pa iu sosur durimi, trajtonte Mustafën me respekt. Komentohej për gjuhën e trupit, gjatë përshëndetjeve që ‘profa’ dhe Kurti i bënin.

Isa Mustafa i jep një këshillë Albin Kurtit për dialogun me Serbinë – Abc  News
Nga një takim i Kurtit, Mustafës dhe Vjosa Osmanit, ish-e nominuara e LDK-së për Kryeministre, 2019

Dikur negociatat patën një fund dhe LV me LDK-në arritën marrëveshjen për të qeverisur bashkë. Ndër të tjerë, në kabinetin e Kurtit si ministër i Infrastrukturës ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, që tash zë vend në videon e LV-së me ‘shkatërruesit’. Qeveria u rrëzua pak muaj më vonë, gjatë pandemisë, me mocion mosbesimi, të iniciuar nga LDK-ja.

Fitorja e madhe e LV-së më 14 shkurt i dha asaj garancë të formojë Qeverinë, pa pasur nevojë për ndonjë nga partitë, që kishin rezultat larg më të ulët se të partisë së Kurtit.

Megjithatë, LV-ja se gëzoi një rezultat të njëjta a të ngjashëm në zgjedhjet lokale, të mbajtura në fund të të njëjtit vit. Pas zgjedhjeve, ku Vetëvendosje fitoi 4 komuna, bëri koalicione në nivele lokale me partitë të cilat i listoi te ‘shkatërruesit’, përfshirë edhe PDK-në. 

Të ngjashme