Të hënën disa ministra shkojnë në shtëpi?

Prishtinë | 05 Nën 2016 | 17:37 | Nga

Nëse dalin të vërteta deklarimet e udhëheqësve të PDK’së e LDK’së, atëherë, disa Ministra aktual pas ditës së hënë do të mbeten pa pozita qeveritare. Kadri Veseli ka thënë se në fillim të javës do të publikohen emrat e Ministrave të rinj. Edhe në LDK kanë thënë se po shkohet drejt fundit të riformatizmit të Qeverisë. Agim Veliu ka thënë se janë gati për ndryshime në Ekzekutiv, shkruan Express.

Prej të hënës, disa prej 21 Ministrave të Qeverisë së Kosovës do të mbesin pa punë. Kjo për shkak se PDK e ka konfirmuar se do t’i çojë emrat e rinj të Ministrave te Kryeministri Isa Mustafa.

Mirëpo, PDK dhe as LDK nuk kanë treguar se kush prej anëtarëve të Kabinetit të Isa Mustafës do të largohet prej Qeverisë për shkak të dështimit për të kryer punën që u ishte besuar në dhjetor të vitit 2014.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë për RTK-në, se të hënën do të shkojnë emrat e rinj të Ministrave dhe Zëvendësministrave për miratim te Kryeministri.

“Ne vetëm e kemi përfunduar, do të kemi emra të ministrave të rinj, do të kemi disa lëvizje të zëvendësministrave dhe sapo të kthehem nga kjo vizitë zyrtare, besoj që edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës do të kthehet nga vizita zyrtare në Londër, ne do të ne do ta finalizojmë këtë proces”, ka thënë Veseli.

Ka thënë se për shkak të korrektësisë nuk po i përmend emrat e atyre që do të largohen dhe as emrat e Zëvendësministrave që do të ndërrojnë dikasteret qeveritare.

Edhe Nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu ka thënë se janë gati për të bërë ndryshimet në Qeverinë e Kosovës. Mirëpo, as ky udhëheqës i partisë së Isa Mustafës s’ka përmendur emrat e atyre që do të largohen prej Qeverisë.

“Po, na jemi gati për riformatim, kurdo që paraqitet nevoja ne gati jem”, ka thënë Veliu, për Express, të shtunën.

“Po unë thash gati jem, s’kam ndonjë koment tjetër”, është përgjigjur Veli kur është pyetur për emrat e Ministrave të LDK-së që do të mund të largohen prej pozitave në Qeveri.

Idenë për ndryshime në Qeveri e ka nisur Kadri Veseli e Isa Mustafa, të cilët prej muajsh kanë paralajmëruar mundësinë e ndërrimit të disa ministrave.

Kohëve të fundit, në PDK, kanë folur edhe për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, pasi nuk janë të kënaqur me performancën e Qeverisë së udhëhequr prej liderit të LDK-së.

Pavarësisht se gjatë fushatës zgjedhore kishin akuzuar njëri-tjetrin, pas dështimit të koalicionit të Opozitës, LDK kishte lidhur koalicion me Partinë e Hashim Thaçit, duke marrë pozitën e Kryeministrit ndërsa presidenti dhe kryeparlamentari i ishin dhënë PDK-së.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës, ka 19 Ministri, ndërsa, dy i ka pa portofol. Është më e madhja në numër krahasuar me vendet e rajonit. Në Shqipëri janë 19 Ministri, Serbi 18, Mal të Zi 16 dhe Maqedoni 14.

Veseli e Mustafa kishin premtuar se do të ketë edhe zvogëlim të numrit të Ministrive, por as në këtë drejtim, s’ka pasur asnjë lëvizje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme