Të pagjeturit të jenë prioritet në dialog – vendës e ndërkombëtarë e neglizhuan këtë çështje

Prishtinë | 04 Pri 2021 | 08:18 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Fati i të pagjeturve nga lufta  e fundit në Kosovë mbetet plagë për familjarët, duke marrë për bazë edhe angazhimin e paktë të institucioneve, po vlerëson Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës në Kosovë.

Grajqevci në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se edhe ndërrimi i shpeshtë i pushteteve, por edhe ekspertëve ka bërë që kjo çështje të zvarritet deri më tani.

“Sa i përket institucioneve të Kosovës, është pikërisht procesi edhe ndërrimi i qeverisjeve dhe komisioneve sidomos asaj për krime lufte, Instituti i Mjekësisë Ligjore, policia për krime lufte dhe faktikisht edhe ju kam lutur, institucioneve të tanishme që mos të prekin në ato fusha ku duhet të jenë ekspertë sepse ne nuk kemi nevojë për qoban, por për hulumtues dhe ekspertë. Edhe pse janë ndërruar qeveritë, ekspertët nuk është dashur të ndërrohen, duhet të ketë vizion sepse 22 vite janë shumë,  dhe familjarët kanë nevojë për drejtësi dhe një ligj”, tha Grajqevci.

Pritshmëritë nga qeverisja e Albin Kurtit për dallim me qeveritë e kaluara janë më të mëdha nga ana e Grajqevcit, ngase sipas tij, ai  ka qenë anëtar i Këshillit dhe i njeh mirë këto procese.

“Ne nuk e dimë se çfarë është dialoguar në Bruksel për çështjen e personave të zhdukur. Kurti qysh në vitin 2000 ka qenë anëtar i joni në këshill dhe ai e din këtë gjë shumë mirë, pres më shumë rezultat nga ai pikërisht për njoftimin e tij në këtë proces, uroj që nuk do jetë si qeverisjet e mëparshme duke mos i dhënë rëndësi”, deklaroi ai.

Ai thotë se institucione vendëse e ndërkombëtare neglizhuan këtë çështje, prandja edhe fati i të pagjeturve ende mbetet i pazgjidhur, raporton EO.

“Kjo temë është tejet e ndjeshme tek ta, janë në ankth dhe presin shumë nga ne. Sa i përket institucioneve nuk është që nuk kanë bërë asgjë, por kanë pasur mundësi që të bëjnë edhe më shumë sidomos bashkësia ndërkombëtare, duke e ditur krimin që u është bërë shqiptarëve dhe të bëjnë presion mbi ata që nuk tregojnë që ku janë ata trupa”, theksoi tutje ai.

Në anën tjetër drejtori  i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu në një intervistë për EO theksoi që sfidë është dialogimi aspak i lehtë me palën serbe.

“Po para së gjithash me natën 24 marsit fillon edhe hapja e plagëve dhe rikujtimeve të familjarëve edhe pse ne shumicën e këtyre manifestimeve marrim pjesë dhe thjesht i dallojmë dy botra të familjarëve, të  atyre që akoma presin për të afërmit e tyre që të kenë ndonjë lajm, dhe të atyre që faktikisht i kanë varrosur”.

“Ju e dini se nga viti 2003 kemi takime dialoguese me palën serbe dhe nuk është aspak e lehtë të diskutosh me ta, në anën tjetër kemi mungesë të informacionit për mundësinë e varrezave dhe vendin në të cilin janë të varrosur ata trupa në luftën e fundit në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu theksoi që pavarësisht ndërrimit të komisioneve si pasojë e ndërrimit të shpeshtë të qeverive ata prapë kanë mbajtur grupe të shumta punuese, duke numëruar kështu mbi 134 takime.

“Për dallim nga pala serbe, komisionet tek ne janë ndërruar pothuajse çdoherë kur janë ndërruar qeveritë dhe mendoj që një komision i tillë do duhej të jetë i përbërë nga persona permanentë, sepse kjo punë është e lidhur me të kaluarën”.

“Mirëpo sa i përket proceseve kemi pasur mbi 134 takime në kuadër të grupit punues dhe në grupet profesionale nga viti 2003 e deri më tani”.

Sipas tij, pandemia ka bërë që puna e tyre të penalizohet në disa aspekte, por që puna në terren ka vazhduar vetëm në rastet kur kushtet atmosferike të mos jenë në favor të tyre.

“Pandemia na ka penalizuar në shumë aspekte, por kemi punuar shumë, nga tri ekipe në terren i kam pasur, e dimë që shpesh për shkak të kushteve atmosferike duhet të ndërpritet puna, mirëpo tash dihet kur do ti kthehemi punës në territoret e planifikuara”, përfundoi ai.

Lexo më shumë:

Të ngjashme