Të premten seanca për votimin e Presidentit, këto janë planet e VV-së e Osmanit

Prishtinë | 31 Mar 2021 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Fundi i javës pritet ta gjejë vendin me president të ri. Sipas burimeve të KOHËS, seanca për zgjedhjen e kreut të shtetit do të mbahet të premten, pasi të përmbyllet çështja e funksionalizimit të komisioneve parlamentare.

E, për zgjedhjen e presidentit, sipas njohësve të Kushtetutës, LVV-ja ka kohë deri më 5 prill. Kjo meqë ky proces duhet të përmbyllet një muaj para se t’i përfundojë mandati presidentit, përkatësisht ushtruesit të detyrës.

Votimi për kandidaten për presidente, Vjosa Osmani, pritet të bëhet të premten. Siç ka mësuar KOHA nga burimet e saj, Lëvizja Vetëvendosje, pas seancës ku do të betohen deputetët e rinj, do t’i mbledhë nënshkrimet e nevojshme për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.

Osmani dhe partia e cila e ka kandiduar për këtë pozitë, sipas njohësve të Kushtetutës, kanë kohë deri të hënën më 5 prill që t’i nisin procedurat për zgjedhjen e kreut të shtetit. Kjo meqë afati prej një muaji për zgjedhjen e kreut të shtetit, para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, vlen edhe për ushtruesin e detyrës.

Mandati i ushtruesit të detyrës të presidentit përfundon më 5 maj, kur edhe bëhen 6 muaj, aq sa sipas Kushtetutës mund të ushtrohet kjo detyrë.

“Të gjitha procedurat duhet të fillojnë dhe përfundojnë të paktën një muaj para se të përfundojë mandati i rregullt pesëvjeçar i presidentit të Republikës dhe për t’u nominuar mundet secili qytetar i Republikës së Kosovës që ka të paktën 35 vjet dhe që ka nënshkrimet e së paku 30 deputetëve të Kuvendit”, ka thënë njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu.

Sipas Baraliut, në mënyrë që çështja e zgjedhjes së presidentit të mos bëhet subjekt i Gjykatës Kushtetuese, atëherë kandidati i LVV-së për këtë post duhet ta ketë edhe një kundër kandidat.

Në anën tjetër, dy prej partive në opozitë kanë konfirmuar se nuk do ta mbështesin kandidaten e LVV-së për presidente. Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se përkrahjen për LVV-në në këtë proces do ta shqyrtonin nëse do të kandidonin për president një kandidat unifikues.

“Nuk mendojmë që është detyrë e jona që të dalim me kandidat për president, meqenëse zgjedhjet i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje – z.Albin Kurti. I takon shumicës që ta udhëheqë një proces të tillë, por u takon z.Kurti dhe znj.Osmani që ta përfaqësojnë unitetin e shoqërisë, të popullit dhe të shtetit. Nëse ata do të dalin me një figurë e cila do ta përfaqësonte shoqërinë në Kosovë, natyrisht që PDK-ja do ta merrte në konsideratë një emër i cili e përfaqëson popullin e Kosovës, por jo një kandidat i cili është thjesht partia, sikurse është znj.Osmani”, ka thënë Hoxhaj në një konferencë për media.

Ai më tutje ka renditur arsyet pse partia që ai drejton nuk do të votojë për Osmanin. “Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese, por skajshmërisht përçarëse. Ajo tani e disa vite ka qenë politikane që karrierën e saj politike e ka ndërtuar përmes përçarjes në skenën politike të Kosovës dhe duke vepruar çdoherë kundër parimit të unitetit në vendin tonë. Gjatë kohës sa ka qenë u.d. e presidentes, znj.Osmani nuk e ka përfaqësuar institucionin e Presidencës si figurë mbipartiake, por përkundrazi ka përdorur Zyrën e Presidencës për të krijuar një parti politike, që t’i bashkohet listës së Vetëvendosjes për të garuar në zgjedhje”, ka thënë ndër tjerash kryetari i PDK-së.

Se nuk kanë ndryshuar qëndrimin e tyre karshi votimit të presidentit e ka konfirmuar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Nuk kemi marrë prej tyre ndonjë propozim ose kërkesë, apo edhe marrëveshje politike për të votuar qeverinë ose presidentin. Ata nuk kanë kërkuar nga ne bashkëpunim dhe vetvetiu ne nuk jemi pjesë e një marrëveshjeje politike për votimin e kandidates së Vetëvendosjes për presidente. Pashë një njoftim se LDK-ja ka një vendim të tillë dhe kjo është një marrëdhënie e re mes LDK-së dhe Vetëvendosjes. Por, sa i përket marrëdhënies Aleancë-Vetëvendosje nuk ka ndryshuar asgjë”, ka thënë Haradinaj të mërkurën.

Pas dy takimeve mes kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kandidates për presidente, Vjosa Osmani, kjo parti të martën ka konfirmuar pjesëmarrjen në votimin e saj. Por, ende nuk dihet nëse vendimin e organeve të LDK-së do ta respektojnë të gjithë deputetët e kësaj partie në ditën e votimit.

Duke mos dashur të flasë me emra për ata që nuk janë pro këtij vendimi, Abdixhiku ka thënë se rikthimi i LDK-së varet nga uniteti që do ta kenë. Kësisoj, ai u ka bërë thirrje kolegëve të tij që ta lënë anash çfarëdo hidhërimi.

“Pres që secili deputet ta respektojë vullnetin politik të shumicës, që secili deputet të mos pengojë kursin e ri të LDK-së në drejtimin tonë origjinal, pres nga secili deputet të sillet si institucionalist dhe ta kapërcejë veten dhe çfarëdo hidhërimi që mund të ketë”, ka thënë Abdixhiku në konferencën për media.

Kandidates së Vetëvendosjes për presidente, Vjosa Osmani, i duhen 80 vota që të zgjidhet në krye të shtetit. Nëse në dy raundet e votimit nuk arrin të marrë 2/3 e votave të deputetëve, në të tretin asaj i mjaftojnë 61 vota, me kushtin që në votim të marrin pjesë 80 deputetë. Deri më tani nuk dihet nëse në votim do të marrin pjesë deputetët e Listës Serbe.

Të ngjashme