“Të rinjtë me mungesë të informacionit për dialogun”

Prishtinë | 21 Mar 2019 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi së bashku me Institutin I4PA organizuan punëtorinë “Arritjet dhe ecja përpara e dialogut teknik Kosovë-Serbi” me pjesëmarrës nga shoqëria civile dhe të rinj nga komuna e Lipjanit.

Përfaqësuesit e organizatave Kuvendi i të Rinjve të Lipjanit, Këshilli i Veprimit Rinor i Lipjanit dhe të rinjtë e komunës së Lipjanit diskutuan për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe benefitet e marrëveshjeve të arritura gjatë këtij procesi.

Drejtoresha ekzekutive e Institutit I4PA, Dea Gecaj gjatë fjalës hyrëse theksoi se “besojmë që punëtoria e sotme do të jetë një mjet shtesë në angazhimin e shoqërisë civile në njërin nga proceset më të rëndësishme të shtet-ndërtimit.

Së bashku, do të shkëmbejmë mendime si mbi temën e diskutimit ashtu edhe mbi mundësinë e angazhimit të shoqërisë civile në tërë procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”

Donika Emini hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë prezantoi një përmbledhje të dialogut teknik Kosovë-Serbi dhe marrëveshjeve të arritura gjatë këtij procesi që nga viti 2011.

Sfidat kryesore të procesit të dialogut si dhe sfidat në implementimin e marrëveshjeve, ku theksoi rolin e rëndësishëm të mediave ne informimin e publikut “Të rinjtë na ofruan informata interesante rreth informimit të tyre për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ku ata informohen kryesisht nga Mediat. Shihet një mungesë e qartë e informimit në këtë proces tek të rinjtë.”

Ndërsa, Mimoza Telaku nga Grupi për Ballkan prezantoi benefitet e dialogut teknik Kosovë-Serbi duke u bazuar në marrëveshje specifike që nga marrëveshjet e para e deri te marrëveshjet e fundit teknike. Ku, ka përmendur qëllimin e dialogut teknik i cili është i fokusuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke theksuar këtu marrëveshjen e lëvizjes së lirë, marrëveshjen për drejtësi, marrëveshjen për telekomunikacion, marrëveshjen për energji, marrëveshjen për diploma etj. Ajo shtoi se “Marrëveshjet e dialogut teknik për aq sa janë implementuar kanë sjell benefite te qytetarët e sidomos në lëvizjen e lirë që ka mundësuar kontaktin e të rinjve nga Kosova dhe Serbia.”

Nga shoqëria civile dhe të rinjtë e Lipjanit u përmend marrëveshja e lëvizjes së lirë, si një nga marrëveshjet prej të cilave qytetarët kanë përfituar më së shumti. Marrëveshje e cila iu mundësoi Kosovarëve të udhëtojnë drejt Evropës përmes Serbisë, e rrjedhimisht të kenë qasje më të mirë dhe më të shpejtë në vendet Evropiane.

E në anën tjetër shprehen interesim në implementimin e marrëveshjes për njohjen e diplomave universitare të cilat kanë ndikim direkt në jetën e tyre. Të rinjtë, gjithashtu shprehën interesim për integrim të arsimit shkollor të të gjitha etnive në Kosovë që të ketë një sistem integral të edukimit.

Një pikë tjetër me rëndësi të cilën e potencuan pjesëmarrësit ishte pjesëmarrja e qytetarëve. Ata shprehën domosdoshmërinë që procese të tilla kaq të rëndësishme të mos realizohen pa pjesëmarrjen e qytetarëve sepse marrëveshjet e arritura kanë ndikim direkt te qytetarët.

Punëtoria është pjesë e aktiviteteve të projektit “Promovimi dhe komunikimi i përfitimeve të dialogut Kosovë – Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja”. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.

Grupi për Politika dhe Avokim Kosovë – Serbi u themelua në fillim të vitit 2018, si një mjet për të sfiduar narrativat në nivel shoqëror dhe t’i ndihmojë politikë bërësit të arrijnë marrëveshje në mënyrë më transparente.

Konsorciumi është i përberë nga 8 OJQ me vizion të njëjtë: Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan, Instituti Demokratik për Zhvillim (D4D), Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dheOJQ AKTIV nga Kosova, si dhe Fondi i Beogradit për Ekselencë të Politikave (BFPE), Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP), Lëvizja Evropiane në Serbi (EMinS) dhe Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM) nga Serbia. 

Të ngjashme