Tema e Asociacionit përplas Thaçin e Hotin

Prishtinë | 16 Sht 2020 | 19:19 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës që të miratojë një rezolutë përmes së cilës do t’i ndalohej kryeministrit Avdullah Hoti negocimi për çështje të brendshme të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Thaçi hapjen e temës së Asociacionit e ka konsideruar gabim të madh e shumë të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës, raporton KOHA.

“Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së Pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, në prillin të vitit 2013, dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudo qoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës. Diskutimi për Asociacionin në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, thuhet në kërkesën e presidencës.

Kërkesës së Thaçit nuk kanë dëshiruar t’iu përgjigjen nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Komunikim në Qeverinë e Kosovës, Xhavit Beqiri, ka thënë se në procesin e dialogut Kosova ka hyrë me qëllim të arritjes së njohjes reciproke.

“Iniciativën e presidentit nuk e komentojmë fare. Dialogu me Serbinë për bazament ka Kushtetutën e Republikës së Kosovës. E kjo nënkupton që pavarësia e Kosovës është e padiskutueshme, integriteti territorial i panegociueshëm e i pacenueshëm, si dhe ruajtjen e organizimit të brendshëm kushtetues. Delegacioni i Kosovës në këtë proces ka hyrë me vetëm një qëllim, arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, e cila rezultat do ta ketë njohjen reciproke mes dy vendeve sovrane, si dhe perspektivën euroatlantike të rajonit”, është shprehur ai.

Të martën mbrëma, në një deklarim për media, presidenti Hashim Thaçi kritikoi kreun e Qeverisë se me hapjen e temës së Asociacionit në bisedimet në Bruksel është duke rrezikuar shtetësinë e Kosovës.

Paraprakisht kritikave të Thaçit, gjatë të mërkurës, u është përgjigjur kryeministri Avdullah Hoti. Ai tha se presidenti Thaçi është duke i shtrembëruar me qëllim informatat, pasi në Bruksel nuk do të diskutohet për Asociacionin.

Marrëveshja për Asociacionin, sipas kryeministrit Hoti, është akt i kryer.

Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë diskutimet e tyre në nivel të ekspertëve, të enjten, më 17 shtator, takim ky që do t’i paraprijë atij mes kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, më 28 shtator.

Të ngjashme