“Tërheqja taktike” e Thaçit për kufijtë

Prishtinë | 04 Mar 2019 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi ka filluar të bëjë tërheqje taktike nga ideja e tij për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë, por vazhdon të flasë për korrigjim të kufirit, duke ia bashkëngjitur vendit edhe Luginën e Preshevës. Kjo tërheqje e të parit të shtetit vlerësohet se është rezultat i kundërshtimit të kësaj ideje nga të gjitha partitë politike në vend. Analistët politikë vlerësojnë se ndryshimi i diskursit të presidentit Thaçi po ndodh për shkak se nuk ka arritur të sigurojë mbështetje për idenë e tij nga partitë politike në vend dhe nga shtetet mike të Kosovës, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Në Samitin e Diasporës, të premten e kaluar në Tiranë, Thaçi deklaroi se nuk do të ketë ndarje të Kosovës e as shkëmbim territoresh me Serbinë. “Ndarja e Kosovës pa shkelur kush mbi trupin tim nuk do ta cenojë askush asnjë milimetër të territorit të Kosovës, as ‘Trepçën’, as Ujmanin, as Mitrovicën dhe asnjë pjesë”, ka deklaruar Thaçi.

Reçica: Jemi kundër ndarjes së Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, subjekt ky politik që më herët e kishte udhëhequr Thaçi, ka thënë për “Zërin” se partia e tij e kundërshton ashpër shkëmbimin e territoreve me shtetin serb.

“PDK-ja nuk mbështet asnjë ndarje të Kosovës, asnjë shkëmbim të territoreve dhe as pushtetin e mesëm në vend. Organizimi i shtetësisë së Kosovës në bazë të Kushtetutës është i panegociueshëm dhe ne e rikonfirmojmë një qëndrim të tillë”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme