Tërmkolli – Haxhiut: Kush je ti me çu Ramush Haradinajn në burg?

Prishtinë | 23 Jan 2020 | 23:11 | Nga Ekonomia Online

Ish- deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli i ka thënë deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiut, se kush është ajo që ta çojë në burg kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinajn?

Deputetja Haxhiu  kishte premtuar që do të dërgojë në burg disa figura politike nëse bëhet ministre e drejtësisë, e në mesin e tyre edhe kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinajn.

“E keni dëgjuar mbrëmë Albulena Haxhiun, është niveli më i lartë i një absurditeti. Një politikan që duket sikur do të dalë nga studio ta çojë Ramushin në burg… Kush je ti? Kjo nuk është detyrë e politikanit, ta burgosë dikë”, është shprehur Tërmkolli në T7.

Tutje, Tërmkolli tha se Vetëvendosje nuk është fituese absolute e zgjedhjeve dhe nuk duhet të sillet si e tillë me LDK-në.

“Vetëvendosja nuk është fituese absolute që t’i qaset LDK-së si e tillë. Është fituese e zgjedhjeve por jo t’i qaset LDK-së si fituese absolute e zgjedhjeve”, ka thënë Tërmkolli.

Të ngjashme