Tërmkolli i reagon Albin Kurtit për fjalët rreth Ibrahim Rugovës

Prishtinë | 27 Pri 2019 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ndaj fjalëve që ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, lidhur me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, në emisionin Pressing të T7.

Tërmkolli i jep të drejtë Kurtit, kur thotë që anëtarët e LDK’së, gabojnë që e kërkojnë si kusht për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, përkuljen e Albin Kurtit para varrit të Rugovës në Velani.

Ajo thotë se pajtohet gjithashtu me Kurtin kur thotë se këtë çështje po e shfrytëzojnë edhe kundërshtarët, për të përçarë LDK’në dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Albin Kurti, kur foli për Presidentin Rugova, ishte më se i sinqertë dhe tejet konsekuent në ideologjinë e tij, të cilën, është provuar sa herë që e ka shumë më të rëndësishme se shtetin. Pajtohem plotësisht me të, se në ditët e sotme vizita (homazhi) te varri i Presidentit Rugova nga kundërshtarët e tij politik, nuk tregon shenjë respekti dhe as pajtueshmëri me punën dhe veprën kolosale kombëtare të Presidentit Rugova. Po ashtu pajtohem se kërkesa e ndonjë zyrtari të LDK-së që i bëhet Kurtit për ta vizituar varrin e Presidentit Rugova, si kusht për bashkëpunim me VV-në është “ jo normale” dhe është fyese ndaj Presidentit Rugova. Aq më pak për këtë t’i kërkohet llogari Kurtit. S’ka pse i kërkohen gjëra të tilla askujt”, thotë Tërmkolli.

Por sipas saj, Kurti gabon në një gjë, dhe duke e bërë atë gabim shpërfaqë qëllimin e vërtetë të tij edhe në raport me Ibrahim Rugovën.

“Vetëm në një gjë “gabon” Albini në këtë rast, dhe duke gabuar e shpërfaqë fytyrën dhe qëllimin e vërtetë edhe në raport me Presidentin Rugova. Kjo ka të bëjë me faktin se pse po i duhet sot Albinit bashkëpunimi, e madje edhe ndonjë koalicion eventual me LDK-në ?!” Unë e di pse! Besoj edhe ju e dini!”, ka përfunduar ish-deputetja e LDK’së, Melihate Tërmkolli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme