Tërmkolli: Kurti përmendi gjakderdhje – ashtu si mësuesit e tij Qosja dhe Demaçi të etur për gjak shqiptarësh

Prishtinë | 26 Mar 2020 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Melihate Tërmkolli nga LDK-ja e ka cilësuar hakmarrje dhe të ulët veprimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti i cili mbrëmë ka liruar nga detya zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti.

Ajo tha se egoja dhe etja e Kurtit për pushtet absolut është mbi shtetin dhe mbi popullin, derisa shtoi se ai kënaqet dhe mbijeton vetëm në kaos, në anarki dhe në trazira.

Ish-deputetja e LDK-së ka qenë shumë e ashpër kur ka thënë se “Albini dje përmendi edhe gjakderdhje, ashtu si mësuesit e tij Rexhep Qosja e Adem Demaçi, të etur për gjak shqiptarësh, për ‘revolucione demokratike’”.

Postimi i plotë i Melihate Tërmkollit:

Albini i natës!

Kryeministri i shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës me më shumë se 2/3 e votave, Albin Kurti, në terrin e natës e paska “liruar” nga detyra Zv/Kryeministrin Avdullah Hoti.

Hakmarrje! E ulët edhe për një person të rëndomtë lëre më për një “kryeministër! Tërë ditën foli kundër veprimeve të natës e si për çudi vetë paska ra në kurthin e natës.

Ky është Kryeministri i shkarkuar. Egoja dhe etja e tij për pushtet absolut është mbi shtetin, mbi popullin. Kosova nuk ia pat borxh as shkarkimet, as rrëzimin e qeverisë në kohë coronavirusi. Por ai nuk sheh as popull, as shtet. E sheh veç Albinin i cili kënaqet dhe mbijeton vetëm në kaos, në anarki, në trazira, për të treguar kush është ai.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Albini dje përmendi edhe gjakderdhje, ashtu si mësuesit e tij Rexhep Qosja e Adem Demaçi, të etur për gjak shqiptarësh, për “revolucione demokratike”.

Këtë e kanë në gjak, e kanë ideologji, lajtmotiv jetësor! Por janë të humbur, nuk do t’i lejojmë! “No pasaran Albin, No pasaran”!.

Të ngjashme