Thaçi: Batalioni “Atlantiku” bashkë me ShBA-në realizuan mision kombëtar duke mposhtur forcat serbe

Prishtinë | 19 Pri 2019 | 16:50 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është mbajtur akademi përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Batalionit “Atlantiku”, në të cilën ka marrë pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, raporton Ekonomia Online.

Thaçi në fjalën e tij ka çmuar lartë vendimin e shqiptarëve që të lënë Amerikën për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së në Kosovë.

Thaçi është shprehur mirënjohës ndaj pjesëtarëve të batalionit ‘’Atlantiku’’ të cilët në kohë të luftës, iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ardhja juaj këto ditë në Kosovë është nder, është krenari, por në të njëjtën kohë edhe fuqizim për shtetin tonë. Është edhe mesazh që dërgohet edhe për respektimin e të kaluarës sonë të përbashkët edhe për fuqizimin e shtetit tonë dhe pozitës së shqiptarëve në rajon por edhe thellimit për raportet miqësore të përjetshme me ShBA. Ju keni qenë luftëtarë, komandant të UÇK-së. Ju jeni krenaria dhe heronjtë e Kosovës, por edhe veteranët e ShBA-së. U jemi gjithmonë mirënjohës juve dhe familjeve tuaja”, tha ai.

Ai ka thënë se është i lumtur që lufta çlirimtare e Kosovës, bashkon të gjithë pavarësisht ideologjive apo përkatësive politike.

“Vlera e luftës së UÇK-së na bashkon të gjithëve përtej çdo partie, përtej çdo ideologjie. Të parët tuaj, por edhe ju shkuat në ShBA, në atdheun e madh të lirisë dhe demokracisë. Shqiptarët e Amerikës kanë luajt rol të jashtëzakonshëm në historinë  dhe afirmimin e çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Në çastet e vështira ishte krejtësisht i natyrshëm reagimi juaj sepse ju e dinit gjendjen e robërisë që kalonim”, tha Thaçi.

“…Ju erdhët direkt në istikamet e luftës.  Jeni vetë beteja dhe fronti i UÇK-së. Në kuadër të Batalionit “Atlantiku” ju luftuat drejtpërdrejt përballë forcave pushtuese. Misionin tuaj ndaj atdheut ju e kryet ballëhapur dhe krenar. Ju erdhët si vullnetarë, u bëtë luftëtarë të jashtëzakonshme, por mbi të gjitha u bëtë fitimtarë për çlirimin e Kosovës duke mposhtur forcat serbe ju realizuat vizionin më të lartë kombëtar, ëndrrën e të gjitha gjeneratave e bëtë realitet. Si luftëtarë ishit armët për luftën për liri. Kosova po hyn në 20-vjetorin e çlirimit. Sa më shumë po kalon koha aq më shumë po shtohen vlerat e luftës. Viti 2019 është shpallë viti i NATO-s në Kosovë. U jemi mirënjohës përjetë ShBA, Nato dhe BE”.

Të ngjashme