Thaçi bindet se Ushtria duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese

Prishtinë | 30 Mar 2017 | 12:37 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i tha Radios Evropa e Lirë se “pajtohet me zyrtarët e lartë amerikanë për krijimin e Forcës së Armatosur të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese”.

Thaçi tha se transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura “duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës vendor dhe i partneritetit të gjithëmbarshëm ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-së dhe NATO-s”.

Ai tha se do ta nisë dhe udhëheqë një proces të diskutimeve me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës “për të shteruar të gjitha mundësitë e koordinimit me ta për krijimin e Ushtrisë së Kosovës”.

Në intervistë me Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi tha se asgjë “nuk mund ta bllokojë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, meqë siç tha “është një e drejt e patjetërsueshme e qytetarëve të Kosovës dhe e institucioneve të një vendi të pavarur dhe sovran”.

Se a duhet të tërhiqet Projektligji, Thaçi tha “Mendoj se koha që ka mbetur është e mjaftueshme që të ndodhin bisedimet e hapura me komunitetin serb, prej bartësve të institucioneve dhe e thash se do të udhëheqë vet me këtë proces të diskutimeve me ta. Do të jetë një proces plotësisht i koordinuar me qeverinë dhe Kuvendin, pasi vetë kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Mustafa kanë qenë ndër të parët që janë informuar me idenë time që nëse serbët shkojnë deri në pafundësi me propozimin për ndryshime kushtetuese atëherë Kosova ka të drejtën e vet edhe ligjore për themelimin e ushtrisë. Kështu që agjenda nuk do të ndalet. Do të respektohen hapat e domosdoshëm. Do të shterim të gjitha mundësitë e koordinimit me serbët. Të bëjmë gjithçka që është e mundur për integrimin e tyre në proces dhe unë shpresoj dhe besoj se përvoja ime në këto vite që kam bashkëpunuar me ta më thotë se diçka e tillë është e mundshme dhe serbët do të jenë pjesë e procesit”.

Në intervistë presidenti Thaçi flet edhe për vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale serbe edhe në territorin e Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme