Thaçi bisedë telefonike me Josep Borrellin, flasin për formimin e qeverisë së re

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 13:15 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell, me të cilin ka diskutuar për perspektivën evropiane dhe zhvillimet në Kosovë e rajon.

Presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan për nevojën e themelimit sa më shpejtë të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm që na presin detyra të mëdha dhe se është e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re, që do të përballet me sfidat dhe do t’i realizojë obligimet ndërkombëtare që ka Kosova”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova është e përkushtuar t’i përfundojë reformat që ka nisur dhe të cilat janë përcaktuese për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Presidenti Thaçi kërkoi që BE-ja ta përmbushë obligimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet. Parlamenti dhe Komisioni Evropian kanë rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vendim meritor në këtë pikë”, tha presidenti Thaçi në bisedën telefonike me Përfaqësuesin e Lartë Borrell.

Presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së u pajtuan rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

Në fund të bisedës, presidenti Thaçi ka thënë se e mirëpret vizitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, në Republikën e Kosovës.

Të ngjashme