Thaçi: Dalja e Listës Serbe nga qeveria dëshmon provokimin e djeshëm serb

Prishtinë | 27 Mar 2018 | 16:02 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vendimi i Listës Serbe që të dalë nga koalicioni qeverisës në Kosovë, është dëshmi për provokimin që Serbia ia bëri Kosovës me hyrjen ilegale të Marko Gjuriqit në veri.

Sipas Thaçit, zhvillimet e të hënës janë në kundërshtim me angazhimet për dialog dhe për ndërtim të paqes si dhe cenim i përpjekjeve për normalizim të raporteve mes Kosovës e Serbisë.

“Pikërisht në ditën kur institucionet e Kosovës filluan punën për krijimin e Grupit Punues të gjerë institucional, që do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndodhi provokimi nga shteti i Serbisë. Këtë e konfirmon edhe vendimi i sotëm për daljen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Thaçi në një njoftim zyrtar.

Ai ka bërë ftesë për ruajtjen e frymës së dialogut dhe që vendet të mbesin të fokusuara në normalizim të marrëdhënieve e ndërtim të fqinjësisë së mirë e pajtimit.

Thaçi ka konfirmuar se ka biseduar sërish me Federica Mogherinin me të cilën thotë se është pajtuar se “dialogu nuk ka alternativë”.

“Sot bisedova përsëri me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën edhe një herë u pajtuam për nevojën e uljes së tensioneve, sepse dialogu nuk ka alternativë dhe të gjithë duhet të fokusohemi në rrugën përpara. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së më njoftoi se sot do të udhëtojë në Beograd për të takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’ia bartur edhe atij mesazhin e njëjtë se dialogu dhe pajtimi janë e vetmja rrugë përpara”, ka thënë më tej Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit në tërë territorin e saj dhe do të kërkojë gjithmonë që të gjithë t’i respektojnë ligjet e Kosovës.

“Më vjen keq që ngjarjet e djeshme kanë trazuar paqen dhe kanë shqetësuar të gjitha komunitetet e Kosovës, por i ftoj të gjithë që ta ruajnë arsyen. Derisa policia ka treguar profesionalizëm në punën e saj, e përshëndes edhe reagimin e institucioneve të shtetit, veçanërisht të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Kosovës që kanë reaguar me kohë, si dhe gatishmërinë e tyre që të shqyrtojnë dhe të vlerësojnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë të gjitha zhvillimet e ditës së hënë, 26 mars 2018, të lidhura me hyrjen ilegale të Marko Gjuriqit në Kosovë”, ka deklaruar në fund Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme