Thaçi dekoron 118 personalitete në Maqedoni me “Urdhrin e Pavarësisë”

Prishtinë | 21 Nën 2016 | 15:32 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar 118 personalitete të shquara nga Maqedonia me “Urdhrin e Pavarësisë” për kontributin e dhënë për çlirimin e shtetit të Kosovës.

Në mesin e personaliteteve që kanë marrë dekoratë janë edhe Ali Ahmeti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Shqiptare Demokratike, personalitete të shquara nga jeta e kulturës, arsimit, shkencës, si dhe afaristë të njohur, të cilët kanë dhënë kontribut në formimin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Me rastin e këtij manifestimi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili personalisht ka ndarë dekoratat, tha se shqiptarët 108 vite më parë, me rastin e Kongresit të Alfabetit, dëshmuan orientimin e tyre pro evropian, gjë që vazhdojnë të demonstrojnë edhe më tej këtë orientim të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në rajon.

Thaçi tha se ndjehet shumë mirë që gjendet në mesin e bashkëthemeluesve të UÇK-së.

“Ceremonia e sotme ka për qëllim t’iu jep mirënjohje pjesëtarëve të UÇK-së, atyre veprimtarëve që vuajtën burgjeve për vizionin e një Kosove të lirë. Ceremonia e sotme nderon arsimtarët e vjetër që edukuan me ndjenja kombëtare shumë gjenerata, gazetarët që informuan për ëndrrën kosovare”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se ka mirënjohje edhe për personalitete maqedonase si dëshmi se edhe në kohëra të vështira ka koka që dinë të mendojnë esëll. Presidenti Thaçi tha se mirënjohja më e madhe i dedikohet popullit shqiptar në Maqedoni, që strehuan qindra mijëra familje kosovare që u dëbuan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës në Kosovë.

Të ngjashme