Thaçi dhe Vuçiq përballen sonte për Ushtrinë në Këshillin e Sigurimit

Prishtinë | 17 Dhj 2018 | 08:23 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do ta kenë përballjen e parë në sonte në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, njofton Klan Kosova.

Në orën 21:00, prapa dyerve të mbyllura, Këshilli i Sigurimit mban mbledhje me kërkesën e Serbisë, pas kalimit në Parlamentin e Kosovës të pakos së ligjeve që i japin mandat shtesë Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Përballja e dy presidentëve do të zhvillohet vetëm tri ditë pas transformimit me ligj të FSK-së në ushtri dhe një ditë pas miratimit në Kuvendin e Kosovës të rezolutës, ligjit dhe Ekipit Negociator për bisedime me Serbinë.

Të premten, me votat e të gjithë deputetëve, përveç atyre të Listës Serbe, kuvendi miratoi tre projektligjet që i japin mandat ushtarak mbrojtës Forcës së Sigurisë të Kosovës.
Ndërkaq, të shtunën, deputetët e mazhorancës, sërish pa ata të Listës Serbe, por me votat e Partisë Socialdemokrate, miratuan rezolutën dhe ligjin që rregullon bisedimet me Serbinë, si dhe përbërjen e ekipit që do t’i zhvillojë bisedimet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para nisjes për në New York, ku do të përfaqësojë Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se pavarësisht diskutimeve që do të ndodhin në OKB, Ushtria e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe se vetëm do të zhvillohet e fuqizohet më tepër, njofton Klan Kosova.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme