Thaçi: Dhuna nuk pranohet, demarkacioni të votohet sot

Prishtinë | 21 Mar 2018 | 13:30 | Nga

Presidenti Hashim Thaçi ka dënuar hedhjen e gazit lotsjellës gjatë seancës së sotme të Kuvendit ku pritej votimi i Demarkacionit me Malin e Zi.

Ai ka bërë thirrje që të votohet sot demarkacioni, duke thënë se kjo nënkupton edhe lëvizje të lirë të qytetarëve.

“Dhuna në Kuvend është e patolerueshme dhe pamje e tmerrshme për Kosovën në botë. I ftoj deputetët që të vazhdojnë me punën e tyre, pavarësisht taktikave të rrezikshme të kundërshtarëve të liberalizimit të vizave. Demarkacioni duhet të kaloj sot. Kjo është ajo që presin qytetarët e vendit, pa dallim partie apo etnie. Votimi i demarkacionit nënkupton lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Thaçi, në një publikim të bërë në rrjetin social Facebook.

Ai ka vlerësuar se është humbur kohë e mjaftueshme me Demarkacionin.

“Mjaft i kemi humbur tre vjet me kauza të rrejshme, që po e mbajnë Kosovën dhe qytetarët të izoluar. Tani është momenti i së vërtetës dhe i veprimit. Vendimi i deputetëve pro ratifikimit të marrëveshjes është vullneti i qytetarëve që duan t’i përqafojnë vlerat evropiane. Mos lejoni që të sfidoheni nga askush, sidomos jo nga ata që duan ta mbajnë Kosovën larg vlerave evropiane dhe të izoluar”, ka përfunduar Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme