Thaçi e Kurti përplasen sërish për gjendjen e jashtëzakonshme

Prishtinë | 08 Qer 2020 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

40 rastet e konfirmuara me COVID-19, mbrëmjen e së dielës, rikthyen debatin rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë.

Më 17 mars, kur Kosova tashmë kishte konfirmuar rastet e para me koronavirus, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë, kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kërkesa e Thaçit e bërë më 17 mars, kishte nxitur përplasje në koalicionin VV-LDK, që për epilog pati rrëzimin e qeverisë Kurti, pas shkarkimit të ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu.

Përplasje e njëjtë është duke u zhvilluar edhe në ditët kur Kosova është duke u qeverisur nga koalicioni LDK-AAK-NISMA dhe minoritetet. Presidenti i Kosovës, këtë të hënë, ka thënë se në atë kohë ishte kërkesë e partive politike dhe se donin që të ketë sa më pak të vdekur e të infektuar.

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se kur u kërkua të merrej një vendim i tillë ishin vetëm 19 raste me koronavirus, dhe se kërkesa e presidentit ishte menduar si kundërvënie e qeverisjes së mirë që kishte VV-ja, sesa për situatën me pandeminë.

Lidhur me deklarimet e presidentit, ka reaguar edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci.

“Tani më nuk i nevojitet të shpallë gjendje të jashtëzakonshme për të marrë në duar pushtetin ekzekutiv që nuk ia njeh Kushtetuta. Tani e ka Qeverinë e tij që vullnetarisht i jep kompetencat që nuk i takojnë̈ dhe madje përtej kësaj”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

KOHA ka pyetur edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila sërish është duke u udhëhequr nga Agim Veliu, lidhur me këtë mundësi, mirëpo është thënë se për këtë duhet drejtuar Zyrës së Kryeministrit, e që kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës.

Pyetje janë dërguar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, nëse ekziston mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe nëse do të përkrahet nisma e tillë, mirëpo nga ky institucion, shkurt kanë thënë se varësisht prej rekomandimeve të IKSHPK-së, merren vendimet lidhur me situatën e pandemisë.

Në Klinikën Infektive, gjatë së hënës, kanë marrë trajtim 20 persona. Prej tyre 5 vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë

Të ngjashme