Thaçi e quan Haradinajn kryeministër joserioz dhe të papërgjegjshëm

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 16:38 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi e ka quajtur joserioz dhe të papërgjegjshëm kryeministrin, Ramush Haradinaj, duke i kërkuar të ketë një qasje shumë më të mençur, raporton EkonomiaOnline.

“Një kryeministër serioz nuk flet për luftëra dhe tragjedi, por kujdeset për reforma. Ka dështuar ta bëjë në javët dhe muajt e fundit. Nuk jam i shqetësuar për deklaratat populiste. Do të luaj rolin udhëheqës, dhe obligimeve të mia në procesin e dialogut”.

“Jam duke udhëhequr negociatat dhe jo kryeministri. I kërkoj një qasje shumë më të mençur. Kryeministri mund dhe ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimin e tij lidhur me procesin e dialogut.

“Pa dialog nuk ka të ardhme euro-atlantike për Kosovën, sepse tek e fundit të gjithë e dimë që pozitat tona nuk janë të përhershme. Kryeministrat dhe presidentët mund të ndërrohen, shkojnë e vijnë të tjerë, siç janë ndërruar më herët. Sidomos mund të ndërrohen shpejtë ata nëse nuk korrigjohen”, është shprehur presidenti Thaçi në një konferencë për medie.

Thaçi ftoi pozitën dhe opozitën të nxjerrin një rezolutë që hap perspektivë.

“Çdo rezolutë që respekton ligjet e Kosovës do ta ketë përkrahjen e plotë. Një rezolutë s’mund të dalë mbi Kushtetutën. Ftoj pozitën e opozitën të nxjerrin një rezolutë e cila hap perspektivë dhe marrjen e përgjegjësive”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se ideja e korrigjimit të kufijve tashmë “ka vdekur” dhe u ka shprehur ngushëllime atyre që kanë pasur pretendime për ndryshim të territoreve.

Sipas presidentit Thaçi, dialogu nuk ka vdekur, por është në një fazë të rëndësishme, raporton EO.

“Dialogu nuk ka vdekur, është në një fazë të rëndësishme. Është deklaratë interesante e kryeministrit që tregon se është në humor të mirë ose ndihet komod në karrigen e vet. Kam pritur nga ai te jetë më racional dhe i përgjegjshëm.”

“Sa për ngushëllim, i ngushëlloj ata që punojnë për ndarje dhe asociacion me elemente ekzekutive.”

Presidenti Thaçi ka thënë se Lugina e Preshevës nuk duhet të sakrifikohet në asnjë rrethanë për dobi të një personi në veri të Mitrovicës, duke mos përmendur emra.

Thaçi është shprehur se ngushëllimi i tij shkon për ata që kanë premtuar asociacion me kompetenca ekzekutive dhe që kanë propozuar edhe një person për kryetar të këtij asociacioni. Ai sërish nuk ka përmendur emra konkret.

“Gjithçka do të bëhet publike në të ardhmen jo të largët, prandaj nuk dëshiroj që të nxis tensione në skenën politike kosovare. Në asnjë rrethanë nuk jam që ta sakrifikoj Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin për ndonjë dobi të një individi në veri të Mitrovicës”.

“Ngushëllimi im shkon vetëm për ata që kanë premtuar vetëm asociacion me elemente ekzekutive, madje që kanë propozuar edhe kryetar të atij asociacioni. Prandaj, ky ngushëllim shkon për ata dhe shkon për ata që mendojnë për ndarje”.

Kur është pyetur se me këto deklarime a po aludon në kryeministrin Haradinaj, Thaçi ka deklaruar: “Unë as nuk aludoj, as nuk prejudikoj, atë që e theksova, e theksova”.

Ndërsa kur është pyetur nëse Milan Radojiçiq mund të bëhet kryetar i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, presidenti Thaçi ka thënë se nuk përmend emra.

“Unë nuk përmendi emra, është përmendje nga ana juaj”.

Sipas Thaçit, ka ardhur koha që njerëzit të “rikorrigjohen” dhe ta mbështesin idenë e përfshirjes së Luginës së Preshevës me Kosovën.

“…sepse kryeministrat dhe presidentët shkojnë dhe vijnë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi duke punuar bashkërisht në agjendën tonë të përbashkët shtetërore”.

Të ngjashme