“Thaçi e Vuçiq do t’i ashpërsojnë deklaratat, që të thuhet se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme”

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 14:34 | Nga Ekonomia Online

Në forumin ndërkombëtar “GlobSec”, i cili u mbajt në Bratislavë të Sllovalisë, gjatë debatit në mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, pati  polemika sa i përket zbatimit marrëveshjes së arritur në Bruksel në vitin 2015.

Analisti Belul Beqaj këto përplasje i vlerësoi si të pritshme dhe në frymën e skenarit tinëzare të përgatitur për ndarjen e Kosovës.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, në këtë forum tha se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji, për menaxhimin e kufirit, hapjen e urës së lumit Ibër, ndërsa në anën tjetër reagoi presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili theksoi se askund në marrëveshjen e Brukselit nuk shkruan diçka për temat e përmendura nga Thaçi.

Beqaj, këto deklarata siç i quan ai të “vëllezërve siamez”, i vlerësoi si të pritshme.

Beqaj tha se deklaratën e Vuçiqit për “korrigjim apo ndarje”, e konsideron se është në frymën e skenarit tinëzare të përgatitur bashkërisht me Thaçin.

“Sjelljet e ‘vëllezërve siamez’ për mua  janë të pritshme…Mbase unë edhe deklarimin e hapur të Vuçiqit se është për ‘korrigjim apo ndarje’ e konsideroj se është  në frymën e skenarit tinëzare që e kanë përgatitur me Thaçin”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, deri në takimin e Parisit deklaratat do të ashpërsohen deri në atë masë sa të krijohet klima se vetëm ndarja është zgjidhja e vetme.

Beqaj theksoi se nëse pas këtij skenari është edhe SHBA, zgjidhja e raportit mes Kosovës dhe Serbisë, mund të bëhet  “mollë sherri “ edhe mes Gjermanisë, Francës, Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve.

“Fundja, prognozojë se, jo vetëm retorika, por edhe veprimet deri në takimin e Parisit do të ashpërsohen deri në atë masë sa të krijohet klima se  vetëm ndarja është zgjidhje e vetme pa i analizuar mirë pasojat afatgjate të saj në raport me Serbinë dhe regjionin. Nëse pas këtij skenari është edhe SHBA ,zgjidhja e raportit mes Kosovës dhe Serbisë, fatkeqësisht  mund të bëhet ‘mollë sherri’ edhe mes Gjermanisë – Francës, BE-së dhe SHBA-ve. Interesi i ‘vëllezërve siamez’ është të arrijnë në këtë pikë, ngase ata mbijetojnë dhe faktorizohen duke krijuar dhe ashpërsuar krizat”, tha ndër të tjera, Beqaj.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq së bashku me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të forumit “GlobSec”, u pajtuan në një çështje ku thanë se zgjidhja e problemit Kosovë-Serbi është e vështirë, mirëpo janë duke u munduar që të arrijnë një marrëveshje.

Ndryshe, takimi i Parisit do të mbahet më 1 korrik, i organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ku do të marrin pjesë autoritetet e larta të Kosovës dhe Serbisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme