Thaçi: Edhe një përpjekje që FAK-u të themelohet me Kushtetutë

Prishtinë | 04 Pri 2017 | 10:27 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Themelimi i Ushtrisë së Kosovës është domosdoshmëri dhe se iniciativa ligjore për shndërrimin e FSK-së është krejtësisht legjitime kushtetuese dhe në funksion të forcimit të shtetit tonë ligjor. Kështu ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot gjatë një debati organizuar nga Lëvizja FOL.

Por, presidenti ka lënë të kuptohet se ka hequr dotë, tani për tani, nga ligji për transformimin e FSK-së, për të bërë “edhe një përpjekje të fundit që të sigurohet përkrahja e të gjitha komuniteteve për themelimin e FAK-ut nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese”.

Duke folur për procesin e transformimin e FSK-së, presidenti Thaçi ka theksuar se iniciativën ligjore për themelimin e ushtrisë së Kosovës e ka ndërmarrë jo vetëm për shkak se është obligim kushtetues dhe ligjor.

“Është e drejtë e jona thelbësore që të kemi ushtrinë tonë e cila garanton mbrojtjen e sovranitetit tonë shtetëror, mirëpo edhe për shkak se kam konsideruar se Kosova e ka të pamundur të realizoj qëllimin e vet për anëtarësim në NATO pa themeluar ushtrinë e vet”, ka shtuar ai.

Presidenti ka vlerësuar debatin mbarëshoqërore që është zhvilluar që nga ndërmarrja e iniciativës ligjore e deri me sot.

Duke respektuar të gjitha mendimet dhe qasjet e ndryshme për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, sipas tij, emëruesi i përbashkët i krejt këtij debati është se institucionet, partitë politike parlamentare, shoqëria civile dhe qytetarët e Kosovës janë të gatshëm për të bërë hapin e natyrshëm, kushtetues dhe ligjor për themelimin e ushtrisë së Kosovës.

“Ne jemi krejtësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e ruajtjes dhe forcimin e partneritetit strategjik me NATO-n dhe SHBA-të, ashtu siç jemi të përgjegjshëm se themelimi i Ushtrisë së Kosovës duhet të bëhet pa humbur kohë”, ka thënë ai.

I pyetur për qëndrimin e NATO-s dhe SHBA-së lidhur me transformimin e FSK-së, presidenti Thaçi ka thënë se partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-ja dhe NATO-ja kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre që të ndihmojnë institucionet e Kosovës në një përpjekje tjetër serioze gjithëpërfshirëse për të siguruar përkrahjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës, e në veçanti të komunitetit serb për transformimin e FSK-së në FAK nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

“Unë e çmoj jashtëzakonisht këtë zhvillim të ri sa i përket kësaj çështje tepër të rëndësishme për Republikën e Kosovës. Ne nuk duhet të harrojmë faktin se themelimi i Ushtrisë së Kosovës është njëri nga momentet dhe zhvillimet më të rëndësishme për procesin e shtet-ndërtimit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar ai.

Presidenti ka thënë se institucionet kanë në dispozicion kohën e mjaftueshme që bashkërisht të bëjnë edhe një përpjekje të fundit që të sigurohet përkrahja e të gjitha komuniteteve për themelimin e FAK-ut nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Sipas tij, në këtë përpjekje duhet të gjitha institucionet të jenë të përfshira, në mënyrë që themelimi i ushtrisë të jetë një moment i bashkimit të qytetarëve të Kosovës, partive politike dhe shoqërisë civile.

“Unë përsëri ritheksoj se do të dëshiroja që një qëllim i tillë jetik të ketë mbështetjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Në rast të kundërt, e kam bërë të qartë që askush nuk do të mund të përdorë veto për themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe kjo tashmë është e qartë”, ka thënë ai.

Të ngjashme