Thaçi fajtor për rrëzimin e VV-së nga pushteti, ai e vuri Kurtin në skija, në lajthitje

Prishtinë | 01 Qer 2020 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Sipas tij, ajo përbëhet nga gjykatës që nuk kanë integritet moral e profesional dhe se sipas tij ata duhet të jenë të moshës më të shtyer.

Në Info Magazine në Klan Kosova, Spahiu po ashtu u shpreh se fajtori për rrëzimin e VV-së nga pushteti është Hashim Thaçi, i cili, siç u shpreh, e ka vënë Albin Kurtin në lajthitje.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë i ditur sepse kjo gjykatë nuk ka gjykatës që kanë një integritet moral e profesional që do të shkojnë ta gjykojnë kushtetutën ashtu si duhet të bënin profesionistët. Ajo është vendosur nga ata që e kanë mbajtur pushtetin qe 20 vjet. Vendimi është pritur që do të merret në favor të presidentit Thaçi”.

“Çështja kruciale në Qeverinë e re ka qene se a do të pranonte Haradinaj të hynte në koalicion pa u bërë kryeministër”.

“Edhe nëse ishin ndërruar pozicionet, prapë vendimi do të ishte marr në favor të Thaçit dhe kundër Kurtit”.

“Shumica e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese janë plagjiatura të vendimeve të Gjykatave Kushtetuese të vendeve tjera. Edhe pse rastet nuk janë të ngjashme, por arsyetimet janë krejt kot. Së pari ajo që vjen në dukje është mosha e gjykatësve të tjerë, të cilët shumica janë të moshës para pensionit për shkak që  të mos e kalkulojë të ardhmen e tyre profesionale”.

“Këtë mendim për Gjykatën Kushtetuese e kam që prej rastit “Sejdiu”. Nuk ka ndërruar cilësia e gjykatësve. Askush s’na ka faj që i kemi zgjedhur ata gjykatës të lodht aty”.

“Nëse janë të moshës para pensionit, ai llogarit që nuk ka më karrierë aty. E kur është i ri, ai gjykatës llogarit se a do të bëhet më pas president, apo kryeminister, ose ndonjë titull profesor, etj., dhe krejt kjo ndikon në vendimmarrjen e tij. Interesi i shoqërisë është mos me pas gjykatës të ndikuar”.

“Duhet të filtrojë shoqëria, me pa se çfarë backgraundi kanë, çfarë familje kanë, babai, gjyshi,  katragjyshi dhe më pas t’i votojnë gjykatësit”.

Ndërkaq në lidhje me fotografinë që sot qarkullon në të gjitha mediat vendore ku duket Presidenti Thaçi që i shkon në takim Pacollit, Spahiu deklaron se është diçka normale dhe e natyrshme.

“Thaçi s’mund të jetë ndryshe nga ai që është. Nuk është diçka që s’e ka bërë ndonjëherë tjetër. Ai është më meritori e fajtori për rrëzimin e Vetëvendosjes nga pushteti, ai qe e ka vënë Albin Kurtin në skija, në lajthitje. Është naiviteti i Kurtit dhe dobësia e tij në politikën e jashtme ajo që e ka rrëzuar nga pushteti, e jo raporti me LDK-në. Arsyetimi i LDK-së për rrëzimin e koalicionit ishte raporti i tij me politikën e jashtme”.

“Me termin ‘në skija’ e kam fjalën që e ka vendosur në rrugë të gabuara, e ka mashtruar më thjesht.  Gabimi i tij ka qenë që ka menduar se Thaçi din rreth marrëveshjes dhe që e ka besuar”.

“Thaçi ka bërë llogaritje të mirë, ka vepruar ashtu siç ka vepruar gjithmonë në skenën politike”.

“Këtu Thaçi insiston më shumë se Pacolli që AKR të jetë në Qeveri. Shumë më e dëshirueshme për të  është që në ministri të jashtme të jetë Pacolli dhe të ketë një koordinim më të mirë me të, se sa dikush nga AAK”.

Spahiu foli edhe rreth profilit të të nominuarit për postin e kryeministrit, Avdulah Hoti, duke e cilësuar si politikan të urtë dhe të matur.

“Hoti do ta ketë vështirë të qeverisë. Ai ka tani punë të merret me politikë të jashtme, dialogun, ekonominë pas pandemisë, etj., pra sigurisht që do ta ketë një betejë të vështirë”.

“Filozofia politike e Avdullah Hotit është e urtë, kështu karakterizohet pra, si politikan i urtë dhe i matur. Qëndrimin e dialogut e ka korrekt, kjo është pika e tij më e fortë në këtë drejtim”.

“Megjithatë qasja e parë e tij në krahasim me atë të Kurtit është më korruptive. E ka rritur numrin e ministrave e zëvendësministrave. Këto të fundit janë funksione koti sa për një rrogë e emër. Kjo më bën  të dyshoj që ka me bë kompromise të shumta. Na bën të kuptojmë që një kahje që është marr gjatë Qeverise Kurti  me antikorrupsion, tani mund të merr kahje tjetër”.


Të ngjashme