Thaçi: FSK-ja është e gatshme për përgjegjësi shtesë

Prishtinë | 22 Tet 2018 | 12:32 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjatë takimit me ekipin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili ka fituar vendin e tretë në garën ndërkombëtare “Cambrian Patrol” në Britani, presidenti Hashim Thaçi tha se ekipi dhe ushtarët janë shembull që tregojnë se FSK-ja është e gatshme për përgjegjësi shtesë.

“Në kuadër të këtij angazhimi shtesë profesional shembull për rajon, gjenerali dhe ekipa e FSK-së dhe ushtarët e FSK-së janë shembull dhe mesazhi më i mirë që po dërgohet se FSK-ja është e gatshme për përgjegjësi shtesë t’u përgjigjet rrethanave dhe situatave të krijuara, dhe pas kalimit të 3 projektligjeve të FSK-së mendoj se është hap gjigant i nevojshëm, edhe pse i vonuar, por me rrugë të drejtë”.

Thaçi uroi togerët, ushtarët dhe komandantin për punën e suksesshme në Britani, duke thënë se kjo e arritur e bën të ndihet krenar, raporton Ekonomia Online.

“Uroj dhe përgëzoj togerët, ushtarët e FSK-së, komandantin për punën e tyre të mirë dhe të suksesshme që kanë arritë ditë më parë me pjesëmarrjen e tyre në Britani, ekipa e FSK-së ka fituar bronzin. Mendoj se është e arritur e re që na bën të ndjehemi mirë dhe krenarë me këtë arritje ekipore”.

“Në mesin e 144 ekipeve, FSK-ja ka fituar vendin e tretë dhe si president ndjehem mirë dhe ju përgëzoj për këtë sukses duke kërkoj suksese më të mëdha dhe jam i bindur që do arrini të gjitha objektivat që keni para jush”.

“Kosova gradualisht do të ketë ushtrinë e saj nga standardet më profesionale në rajon”, tha Thaçi.

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama tregoi se FSK-ja mori pjesë në këtë garë për herë të dytë, raporton EO.

“Është hera e dytë që FSK-ja është pjesë e kësaj gare prestigjioze në mes 144 ekipeve dhe me kushte atmosferike të jashtëzakonshme”.

“Këto përvoja do t’i bartim brenda institucioneve tona dhe vitin e kaluar kemi organizuar kësi gare dhe ideja ka qenë të bëjmë një test të brendshëm që vitin e ardhshëm do jetë një garë ndërkombëtare me përvoja që kemi marrë”.

Presidenti Thaçi tha se shpreson që në ditët në vijim do të kemi dinamikë të re të procesit të dialogut me Serbinë.

“Shpresoj dhe besoj që në ditët e ardhshme do kemi dinamikë të re të procesit dialogut Kosovë-Serbi dhe ky dialog ka kuptim vetëm nëse ndodh njohja reciproke dhe hapet perspektiva për Kosovën”.

Të ngjashme