Thaçi fton deputetët të bashkohen për Demarkacionin

Prishtinë | 04 Dhj 2017 | 11:41 | Nga

Presidenti Hashim Thaçi ka përgëzuar Qeverinë e  Kosovës për vendimin e sotëm për ta proceduar për ratifikim në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malit të Zi.

“Dua të besoj në vullnetin politik dhe shtetëror të përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve, por njëkohësisht ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake të tyre, që të jenë të bashkuar në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje ndër-shtetërore”.

“Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi i jep fund izolimit të vendit tonë, duke mundësuar heqjen e regjimit të vizave, por edhe e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë.Me vendimin e sotëm të Qeverisë, merr fund saga e debateve shterpe akademike, e cila duke mos sjellë asnjë argument të ri, për tri vite me radhë ka prolonguar izolimin e qytetarëve të vendit, duke shkaktuar konfuzion dhe frikë se kinse Kosova rrezikon të humbet territor”.

“Tani është koha që Kuvendi i Republikës së Kosovës të marrë vendimin e vet meritor në interes të qytetarëve të vendit, të cilët me durim të pashembullt janë duke pritur me vite të tëra heqjen e vizave, respektivisht heqjen e izolimit”, ka shkruar ai në Facebook.

Të ngjashme