Thaçi fton Listën Serbe: Nuk kanë asnjë arsye që të mos e votojnë demarkacionin

Prishtinë | 22 Shk 2018 | 13:04 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po u bën thirrje deputetëve të Kosovës që ta votojnë marrëveshjen për kufirin mes Kosovës e Malit të Zi, njofton Klan Kosova.

Presidenti kërkesën në veçanti e ka drejtuar kah deputetët e Listës Serbe, për të cilit tha se s’kanë arsye për të mos e votuar Demarkacionin.

“Ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, sot në Kuvendin e Kosovës, do të thyejë përgjithmonë izolimin e Kosovës. Sot, kur krejt bota është duke na shikuar, besoj thellë në vullnetin e të gjitha partive politike për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila krijon një dinamikë të re edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka shkuar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

“Vota për ratifikimin e demarkacionit është votë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në zonën Shengen, është votë për Kosovën në Evropë. Prandaj, ftoj të gjitha partitë që të respektojnë vullnetin e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike dhe religjioze, për të lëvizur të lirë”.

“Ftoj Listën Serbe që të votojnë këtë marrëveshje, duke respektuar vullnetin e komunitetit serb në Kosovë. Në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën e fundit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Lista Serbe nuk ka asnjë arsye që të mos e ratifikojë këtë marrëveshje”.

“Le të jetë kjo një ditë feste për qytetarët e Kosovës dhe një ditë unifikuese e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme