Thaçi i premtoi NATO-s se FSK-ja nuk do të hyjë në Veri

Prishtinë | 14 Shk 2019 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në vitin 2013 i kishte premtuar NATO-s se Forcat e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojnë në veri pa pajtimin e KFOR-it.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, para mbledhjes së Ministrave të Brendshëm të shteteve anëtare të Aleancës Veriatlanike, tha se FSK nuk guxon të hyjë në Veri, pa lejen e KFOR-it.

REL, duke u thirrur në burime të saj brenda NATO-s, thotë se ekzistojnë letra që ka këmbyer Presidenti Hashim Thaçi, në vitin 2013 kur ishte kryeministër me ish-sekretarin gjeneral të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen.

 “Në thelb, kryeministri i atëhershëm Thaçi kishte premtuar se FSK-ja nuk do të shkonte në veri të lumit Ibër pa një marrëveshje me komandantin e KFOR-it”, citohet një zyrtar i NATO-s t’i ketë thënë Radio Evropës së Lirë.

Sekretari i tanishëm i NATO-s ka refuzuar që të përgjigjet, kur është pyetur për këto letra.

Dokumenti asnjëherë nuk është publikuar, pasi që nuk ishte i nënshkruar. “Nuk është marrëveshje. Është një shkëmbim privat i letrave mes kryeministrit të atëhershëm Thaçi dhe sekretarit të atëhershëm të Përgjithshëm Rasmussen”, ka sqaruar më tej burimi.

Sipas fjalëve të tij, deri tek ky letërkëmbim ka ardhur në periudhën pas arritjes së marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë dhe para rinisjes së dialogut në vitin 2013.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme