Thaçi i shpreh ngushëllime familjes Sejdiu për vdekjen e nënës së katër dëshmorëve të Qirezit

Prishtinë | 19 Shk 2020 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën gjatë ditës ka qenë për t’i shprehur ngushëllime familjes Sejdiu në Qirez të Skenderajt, për vdekjen e bashkëshortes së atdhetarit Sheremet Sejdiu.

Thaçi shprehu nderime të përjetshme ndaj familjes Sejdiu, katër djemtë e së cilës ranë dëshmorë gjatë shkurtit të vitit 1998.

Presidenti në këtë vizitë ishte i shoqëruar nga ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.

“Sot isha në familjen e atdhetarit Sheremet Sejdiu në Qirez të Skenderajt, për t’i shprehur ngushëllime për vdekjen e nënës Abide, bashkëshortes së tij. Në shkurtin e vitit 1998, kjo familje atdhetare ia dha Kosovës katër djem dëshmorë, Beqirin, Nazmiun, Bedriun dhe Bekimin. Nderime përjetësisht kësaj familjeje patriotike, që sakrifikoi shumë për lirinë dhe pavarësinë tonë”, shkroi Thaçi në Facebook.

Me 28 shkurt të vitit 1998, pesë ditë para sulmit mbi familjen e Jasharajve, forcat serbe vranë katër djemtë e familjes Sejdiu në oborrin e shtëpisë. Atë ditë, babi i tyre nuk ndodhej në shtëpi, kishte shkuar në Prishtinë për ta vizituar vëllain. Ai nuk e mori vesh për tragjedinë që e kishte goditur derisa hyri në oborrin e shtëpisë, dy ditë pasi që kishte ndodhur ngjarja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme