Thaçi ia dorëzon Veselit Projektligjin për Ushtrinë

Prishtinë | 07 Mar 2017 | 11:11 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i ka dorëzuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, projektligjin për FSK-në, me anë të së cilit parashihet transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Pas dorëzim – pranimit, Presidenti Thaçi ka thënë se para pak çastesh bazuar në  kompetencat e tija ia dorëzoi kryetarit Veseli projektligjin për FSK-në. Ai tha se kjo çështje është dashur të ndodh edhe më herët, por ka mbetur peng i disa deputetëve, të cilët sipas tij janë kundër ndryshimeve kushtetuese.

“Projektligjin për FSK e kam iniciuar duke u mbështetur në nenin 4. Kjo iniciativë  e imja është e domosdoshme dhe bëhet me qellim të integritetit territorial dhe kontribuon në  ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”.

“Si president i vendit do të doja që transformimi i FSK-së, të ndodhte ashtu siç jemi përpjekur gjatë këtyre tri viteve që kaluan, pra përmes një procesi transparent të përcjell më ndryshimet e nevojshme  kushtetuese . Por, një gjë të tillë nuk kemi arritur ta bëjmë sepse deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë tashmë e kanë bërë të qartë me dhjetëra herë që ata kurrë nuk do t’i votojnë ndryshimet kushtetuese të cilat do të mundësonin themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ky realitet i hidhur është për keqardhje aq më tepër kur dihet se ky qëndrim për ndryshime kushtetuese origjinën e ka në Serbi . Kurse, Kosova nuk mund ta lë fatin e vet në mëshirën e askujt . Prandaj për mua si president dhe komandant suprem i FSK-së, më e rëndësishme se simbolika e cila ndërlidhet me emrin është përmbajtja. Në këtë kontekst vetëm një gjë ka rëndësi thelbësore për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Kosova përfundimisht po ndërton ushtrinë e saj moderne”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi: Sovranitetin tani e mbrojmë vet

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, po ashtu ka deklaruar se tash e tutje nuk ka asnjë justifikim dhe se gjithçka qëndron në duart dhe vullnetin e politikës kosovare.

“Tash që dy vite jem peng i vonesave të mos votimit nga deputetët serbë. Tani ka ardhur momenti që këto gjëra të tejkalohen, askush mos të prek në këtë proces dhe të marrim vendimin për themelimin e ushtrisë. Unë e theksoj ky proces nuk është i njëanshëm, është i koordinuar, është i konsultuar. Një projektligj të tillë ia kam dorëzuar edhe kryeministrit Mustafa dhe unë kam besim të plotë se shteti i Kosovës, politika e Kosovës, qytetarët e Kosovës do të veprojnë unik dhe do të marrin vendimin e duhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tani më asnjë justifikim nuk qëndron, gjithçka qëndron në duart dhe vullnetin e politikës kosovare, institucioneve kosovare, njerëzve legjitim pra në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka pohuar Thaçi.

Sipas tij, ky ndryshim që do të bëhet e bënë FSK-në,  një ushtri që do të jetë më shërbim të paqes sa herë që Kosovës i kërkohet.

Ai ka thënë se është i bindur se ky projektligj do të marrë përkrahjen e të gjitha partive sepse bëhet fjalë për ushtrinë e Kosovës.

Veseli: Projektligji për FSK-në procedohet nesër në kryesi

Kurse kryetari Veseli ka thënë se është ditë e mirë për vendin tonë.

“Presidenti i Republikës në bazë të kompetencave të veta kushtetuese ka proceduar tani më projektligjin për Forcës e Sigurisë së Kosovë. Më lejoni të theksoj që unë në ditën e nesërme unë do të ftoj Kryesinë e Kuvendit në mënyrë që të procedojmë dhe të respektohen të gjitha procedurat të cilat janë në bazë të rregullores së Kuvendit në mënyrë që të procedojmë me obligimet të cilat i kemi ndaj qytetarëve tonë, ndaj vendit tonë. Kosova ka nevojë për formalizmin, përkatësisht formësimin, rrumbullakimin e identitetit të vet shtetëror dhe kjo ka qenë një pjesë e cila iu ka dashur shumë Kosovës, iu ka dashur shumë partnerëve tonë ndërkombëtarë për arsye s epërmes këtij transformimi Kosova nuk është vetëm konsumues i paqes në rajon, por është kontribuues i paqes në rajon”, ka thënë Veseli.

“Deri më tani asnjëherë nuk kemi pasur procedim të Forcës së Sigurisë së Kosovës në rrethanat në të cilat nuk është proceduar asnjëherë, ka pasur ide, iniciativa. Është hera e parë që në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë respektuar procedurat mbi bazën e të cilave ne menjëherë do të procedojmë. Do të thotë të drejtë ka presidenti, ka kryeministri, kanë deputetët , edhe dhjetë mijë nënshkrime të qytetarëve, do të thotë deri më tani asnjëherë nuk ka pasur iniciativë zyrtarisht. Është hera e parë që e kemi këtë procedim edhe unë jam shumë i lumtur dhe jeni të sigurtë që do të procedojmë, të jenë të sigurtë qytetarët e vendit tonë se shtetësia jonë është e shenjtë, ne do të ecim përpara”, ka thënë ai.

Ligji i ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), me të cilin kjo do ta ketë “barrën” edhe të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të territorit të Republikës së Kosovës, i paralajmëruar nga presidenti Hashim Thaçi, pritet ta ketë përkrahjen jo vetëm të deputetëve të pozitës, por edhe të atyre nga opozita.

Të ngjashme